Vlorë, kandidatët ndjekin numërimin, Gjika në avantazh

May 10, 2011 | 9:39
Gjatë procesit të numërimit në Vlorë

Fituesi i garës për kryebashkiakun e Vlorës pritet të shpallet ditën e sotme, për shkak se mbrëmë deri në orët e vona procesi nuk kishte përfunduar. Shifrat tregojnë se kryetari aktual, Gjika, është në avantazh.Ai kryeson me 1970 vota më tepër se kandidati i PD-së, Ardian Kollozi. Përkatësisht Shpëtim Gjika ka marrë 9970 vota, ndërsa Kollozi 8089 vota. Gjithsesi, ende nuk mund të flitet për një fitues për sa kohë që nuk janë numëruar të gjitha kutitë e votimit, të cilat mund të përmbysin edhe rezultat. Dy kandidatët, Shpëtim Gjika, përfaqësues i PS-së dhe Ardian Kollozi, i PD-së, e kanë ndjekur dje për një kohë të gjatë procesin e numërimit të votave në pallatin e sportit “Flamurtari”. Bashkë me disa përkrahës të tyre ata qëndruan në një distancë të afërt, por nuk janë përshëndetur me njëri-tjetrin. Deri në orët e vona mbrëmë, u numëruan 36 qendra votimi, nga 86 që janë gjithsej.
Dje situata në qytetin e Vlorës ka qenë e qetë. Qytetarët kanë vazhduar normalisht punët e tyre të përditshme, ndonëse kryefjala e ditës ka qenë pikërisht fitorja e mundshme e njërit apo tjetrit kandidat. Të paktë kanë qenë ata që kanë qëndruar afër kandidatëve të tyre në qendrën e numërimit të votave. Procesi vijoi normalisht deri në orën 12:00, nga ku u shënua edhe incidenti i parë gjatë numërimit. Një prej vëzhguesve të djathtë pretendoi se fletët po hiqeshin shumë shpejt dhe nuk shikoheshin qartë prej tyre. Në replikë me një nga anëtarët e numërimit, edhe ky i PD-së, për pak degjeneroi në përplasje fizike jo vetëm ndërmjet tyre, por edhe të përkrahësve të pranishëm. Është dashur ndërhyrja e policisë për të evituar një përleshje me pasoja në këtë KZAZ. Komisioni i kërkoi policisë të nxjerrë të gjithë personat jashtë, përfshirë edhe vëzhguesit e subjekteve. Për pasojë, numërimi është ndërprerë për një orë, derisa u vendos rregulli. Ky moment ka sjellë edhe përplasjen e mbështetësve të kandidatëve me policinë, që të hynin në qendrën e votimit për të ndjekur procesin. Forcat e policisë kanë bllokuar për rreth dy orë edhe praninë e mediave, por më pas gjithçka është zgjidhur. Pas qetësimit të situatës, policia ka qëndruar larg qendrës së numërimit. Ndërkaq, numërimi i fletëve të votimit të Bashkisë së Orikumit ende nuk ka filluar, sepse nuk janë paraqitur disa prej numëruesve. Ata kanë pretenduar se janë shumë të lodhur nga procesi i numrit të Bashkisë së Himarës, ndaj kanë kërkuara të pushojnë. Disa prej komisionerëve nuk janë paraqitur dje, çka bëri që procesi i numërimit të mos nisë. As në Bashkinë e Selenicës numërimi nuk nisi deri në orët e vona, pasi ato janë përllogaritur të numërohen pasi të mbarojnë me kutitë e Orikumit.
Ndërkaq, procesi i numërimit ka nisur në orët e vona edhe në disa komuna, por ende nuk ka rezultate për sa i përket fituesve. Proçesi i numërimit është kryer në një tjetër KZAZ, nga ajo ku po numërohen votat për Bashkinë e Vlorës. Por mësohet se edhe në KZAZ-në përkatëse nuk ka asnjë incident dhe procesi i numërimit ka vijuar normalisht. Komisionerët për Bashkinë e Vlorës kanë diskutuar gjatë orëve të darkës disa herë për ta ndaluar numërimin e për të vijuar ditën e sotme, pasi tek ta viheshin re shenja lodhjeje. Por gjer në orët e vona, asnjëri prej tyre nuk vendosi për të ndaluar, duke vijuar me numërimin.

Narte

Në Komunën Qendër të Nartës në orët e pasdites është bllokuar një kuti, pasi gjatë numërimit janë gjetur disa fletë votimi të bardha. Në këto kushte, komisionerët kanë rënë dakord të bllokojnë procesin e numërimit dhe të nisin kutinë për verifikimin përkatës në Komisionin Qendror në Tiranë. Pritet që KQZ-ja të vendosë në lidhje me këtë kuti. Aktualisht, kreu aktual i komunës, Fredo Berberi i PBDNJ–së, dominon në këtë komunë me 320 vota më shumë se rivali i tij kandidat i PS-së. Mësohet se Berberi ka marrë gjithsej 2394 vota, ndërsa rivali i tij, Blerdi Licaj 2077 vota.

Kandidatet

Dje gjatë ditës, por edhe në orët e mbrëmjes, dy kandidatët për Bashkinë e Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili garon nën siglën e Partisë Socialiste dhe Ardian Kollozi, i PD-së, kanë ndjekur nga afër procesin e numërimit. Ata kanë qenë të shoqëruar me disa mbështetës të tyre dhe kanë qëndruar në distancë të afërt, por nuk e kanë përshëndetur në asnjë moment njëri-tjetrin. Secili nga kandidatët ka preferuar të jetë vetë prezent për të parë nga afër procesin e numërimit. Gjatë kohës që ata kanë qëndruar në Pallatin e Sportit, nuk janë shënuar incidente.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura