
VLORE- Një ditë pas çeljes zyrtarisht të sezonit turistik, plazhet e Vlorës janë frekuentuar nga një numër i konsideruar pushuesish. Kjo fundjavë shënoi edhe kulmin e plazhistëve për këtë vit, ndikuar edhe nga moti mjaft i nxehtë. Turistët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit kanë shijuar rrezet e diellit në lokalet buzë detit, por më pas nuk janë larguar nga Vlora pa u larë në ujë dhe pa marrë rreze për pak orë. Binte në sy edhe prania e mjaft pushuesve të ardhur nga Kosova. Shkurtimi i distancës së rrugës nga autostrada ka bërë që ata ta kalojnë cakun e Durrësit dhe t’i drejtohen Jugut të vendit, ku uji dhe plazhi janë mjaft të pastra. Bashkia ka marrë masat duke e pastruar zonën e plazhit për ta bërë sa më atraktive për turistët. Dy ditë më parë, kreu i Bashkisë, Shpëtim Gjika, çeli zyrtarisht sezonin turistik, ndërsa theksoi se do të punohet që Vlora të mos njihet vetëm për turizmin e verës, por të jetë e frekuentuar edhe në dimër, në zonat e tjera turistike e arkeologjike të saj. q.b











