Ndriçim Shtubina, një nga lojtarët bazë të Vllaznisë, mund të mos jetë më pjesë e këtij ekipi për sezonin e ardhshëm futbollistik. Lojtari edhe një sezon më parë ka qenë në qendër të lëvizjeve për në klubet turke, vetëm dëmtimi i tij bëri që gjërat të mbeteshin në vendnumëro. Por, në përfundim të këtij sezoni, gjërat duken krejt ndryshe për lojtarin në fjalë. Burime pranë mesfushorit shkodran bëjnë të ditur se e ardhmja e tij do të jetë larg Vllaznisë. Shtubina e ka konfirmuar se ka pasur oferta nga Italia dhe Austria. “Kam pasur oferta nga klube të Serisë C në Itali, si dhe nga Austria. Megjithatë, mund të them se deri më tani nuk kam asgjë konkrete në këtë drejtim, pasi po pres që të përfundojë sezoni e më pas të vendos për të ardhmen. Mirëpo, këtu nuk përjashtoj edhe ekipe të Superiores”, – është shprehur mesfushori shkodran Shtubina. Ndërsa duket se, përsëri për sa i përket aktivizimit në Shqipëri, ai më parë do të shikojë kontratën që do t’i ofrojë Vllaznia dhe më pas skuadrat e tjera. “Pavarësisht se është ende herët për të folur për ekipet e Superiores, unë do të shikoj më parë atë që do të më ofrojë Vllaznia në këtë drejtim, pastaj të tjerat me radhë”, tha ai.











