Vllaznia: “Jo” ofertës së maltezëve për Sukajn

Jan 6, 2012 | 12:44

Klubi i Superligës malteze, Balzan Youths, i ka bërë një ofertë zyrtare Vllaznisë për të marrë shërbimet e sulmuesit Xhevahir Sukaj. Lajmi konfirmohet edhe nga mediat malteze. Sipas këtyre të fundit, oferta e skuadrës që renditet në vendin e 7-të të kampionatit maltez, nuk është pranuar nga ana e shkodranëve. “Klubi shqiptar, por edhe vetë lojtari, nuk e pëlqyen ofertën e drejtuesve të Balzan Youths”, shkruante uebsajti “timesofmalta.com”. Ndërkohë, te Balzan Youths aktivizohet këtë sezon shqiptari Bledion Guga. Ish-mbrojtësi i Flamurtarit është një titullar i padiskutueshëm te skuadra e kampionatit maltez. Nga klubet e interesuara për Sukajn, mësohet se oferta më e mirë është ajo e klubit iranian, Sepahan. Skuadra që drejtohet nga kroati Zllatko Kranjçar është kampione në fuqi e Iranit dhe ka një potencial të fuqishëm ekonomik. Prej një muaji përfaqësuesit e Sepahanit kanë mbajtur kontakte me Sukajn.

Bekim Bala: Vllaznia, një opsion i mundshëm
Me dënimin e Sukjat, por edhe me largimin e Vajushit, duket se sulmi është kthyer në një repart problematik për shkodranët. Në të tilla kushte, drejtuesit janë hedhur në sulm për të afruar një sulmues. Bekim Bala është ndër më të preferuarit për kuqeblutë, madje edhe vetë lojtari është i joshur nga oferta, mirëpo gjithçka mbetet peng e Tiranës, klubit që ka kartonin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 20-vjeçari i bardhebluve ka deklaruar se përgjigjen përfundimtare do ta japë vetëm sot. “Jam shumë i lëkundur për të ardhmen time, pasi siç dihet, unë jam futbollist i Tiranës dhe më duhet ta respektoj kontratën deri në fund. Mirëpo, duke njohur problematikën që po zgjat prej muajsh, një largim nuk do të përbënte habi. Sot filloj stërvitjen me bardheblutë dhe vetëm më pas kam lënë një takim me administratorin e klubit. Nëse përgjigjja do të jetë negative, atëherë edhe unë do të mendoj më të mirën për veten. Një opsion sigurisht që është Vllaznia dhe këtë sigurisht që nuk mund ta mohoj. Tirana nuk do të më hapë probleme me letrat, prandaj mendoj se gjithçka mund të zgjidhet përmes mirëkuptimit. Në të kundërt, do t’i drejtohem organeve kompetente pranë FSHF-së, meqenëse kam tre muaj pa u paguar”, është shprehur Bekim Bala.

© Panorama.al

Te lidhura