Vllaznia, drejtuesit gati gjobat për lojtarët

Sep 19, 2011 | 12:58

Humbja me Kamzën duket se nuk do të kapërdihet lehtë nga ana e  drejtuesve të rinj të Vllaznisë. Këta të fundit kanë qenë tejet entuziast para takimit, duke e quajtur kundërshtarin më se të kalueshëm për të arritur më të mirën, mirëpo duket se pas përfundimit të 90 minutave, ku u ndanë me 1-0 në favor të vendësve, zhgënjimi ka qenë i madh. Ndaj, nga sa mësohet, pritet që kjo humbje të mos kalojë lehtë, pasi drejtuesit po shikojnë mundësinë e aplikimit të gjobave për këtë humbje ndaj lojtarëve. Megjithatë, nuk dihet nëse kjo do të ndodhë edhe për faktin se në këto momente ekipi mund të rëndohet në aspektin psikologjik, aq më tepër, para një përballje si ajo e fundjavës me Teutën. Ndërkaq, pakënaqësia e drejtuesve ka qenë edhe në drejtim të stafit teknik të skuadrës. Rezervat e tyre janë pikërisht për mosndërhyrjen në kohën e duhur për sa i përket zëvendësimeve që trajneri Mirel Josa ndërmori gjatë ndeshjes. Gjithsesi, thuhet se, si lojtarët e skuadrës, ashtu edhe stafi teknik mund të ndëshkohet me gjoba, vendim ky që mund të merret dhe ekzekutohet pas javës së ndeshjes me Teutën. Ndërkaq, nuk është bërë akoma e ditur sesa do të jetë masa e gjobës që drejtuesit e klubit do të aplikojnë, jo vetëm në këtë rast, por edhe në të ardhmen nëse do të ketë të tilla humbje tejet të paparashikueshme. Sot pritet të bëhet dhe një analizë mbi humbjen në Kamzë, ku do evidentohen gabimet që skuadra bëri në atë takim dhe pikat ku duhet, me patjetër, që të përmirësohet në ndeshjen e fundjavës ndaj Teutës.

© Panorama.al

Te lidhura