Merkatoja po zien pas përfundimit të kampionatit dhe përjashtim nuk mund të bëjë as Vllaznia. Prej ditësh, në kampin shkodran janë lakuar disa emra që mund të afrohen për sezonin e ri. Listës i shtohet edhe mbrojtësi i krahut të majtë të Skënderbeut, Markoviç. Në fakt, duket se bisedimet me këtë të fundit janë më shumë konkrete, teksa vetë menaxheri i lojtarit, ndër më të njohurit në Shqipëri, Kostandin Grillo, për “Panorama Sport” bën me dije se është arritur një marrëveshje paraprake. E vetmja gjë që mungon momentalisht është firma. Mësohet se drejtuesit e Vllanzisë, janë takuar një ditë më parë me mbrojtësin 25-vjeçar dhe pas një bisede të gjatë, palët kanë rënë dakord. Ende nuk janë zbuluar detajet e mëtejshme, por burimet sigurojnë se shumë shpejt do të vijë edhe zyrtarizmi.











