TIRANE – Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim menaxherin e një kompanie private, pasi akuzohet se ka vjedhur paratë që ndodheshin në kasafortën e kompanisë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e 28 shkurtit, duke gdhirë dita e parë e marsit, në zyrat e kompanisë, tek filiali i saj që ndodhet tek “Komuna e Parisit”, në kryeqytet. Vjedhja është zbuluar mëngjesin e datës 1 mars, kur administratorët e kompanisë kanë gjetur kasafortën të boshatisur dhe kanë vënë re mungesën në punë të menaxherit 25-vjeçar, Dritan Islamaj. Pasi kanë tentuar disa herë që t’i telefonojnë dhe celulari i tij rezultonte vazhdimisht i fikur, atëherë drejtuesit e kompanisë kanë hedhur dyshime rreth tij për “zhdukjen” e 15 milionë lekëve të vjetra nga kasaforta. Ata janë drejtuar menjëherë për të bërë kallëzim rreth ngjarjes në Komisariatin nr.2 të Tiranës, duke denoncuar si autor të dyshuar menaxherin e kompanisë, Dritan Islamaj. Në polici janë thirrur të gjithë ata persona që kanë pasur kopje të çelësit të kasafortës, të cilët pasi u janë verifikuar gjurmët e gishtave me shenjat e fiksuara në kasafortë, janë lënë të lirë. Duke akuzuar si autor të vetëm të kësaj ngjarjeje 25-vjeçarin nga Vlora dhe banues në Tiranë, policia ka shpallur në kërkim Dritan Islamajn dhe po heton në lidhje me vendndodhjen e tij. Policia ka kontrolluar edhe banesën e tij në Tiranë, si dhe banesën e prindërve të tij, por nuk ka arritur të gjejë asgjë të dyshimtë, apo që t’i çojnë në gjurmët e autorit.











