Disa vite pas “Harold & Kumar 1” vjen aventura më e re e dy miqve Harold dhe Kumar. “A very Harold & Kumar Christmas 3D” vjen 7 vjet pas aventurës së parë të dyshes Harold dhe Kumar në kinema “Millenium”. Prej dy ditësh, komedia me më shumë se 400 efekte speciale ka mbërritur edhe në Tiranë. Disa vite pasi kanë jetuar më vete, Harold Lee (interpretuar nga John Cho) e Kumar Patel (interpretuar nga Kal Penn), kanë zëvendësuar njëri-tjetrin me miq më të mirë dhe janë duke përgatitur secili festën e Krishtlindjeve. Por, kur një pako misterioze gabimisht mbërrin në shtëpinë e Kumar në prag të Krishtlindjeve, gjërat fillojnë të ndërlikohen, pasi pema e festës merr flakë. Të dy nisen në Nju Jork për të gjetur një tjetër pemë, por aventura devijon nga atmosfera, duke i futur miqtë në telashe, ndërsa Harold dhe Kumar kalojnë nga një aventurë në tjetrën publikut i serviren skena të forta humori. Për disa prej kritikëve, ky film është më i realizuar sesa paraardhësi i tij, “Harold & Kumar Escape From Guantanamo Bay”. Fakti që komedia vjen në tridimensional konsiderohet si një pikë e fortë e filmit. Komedia është drejtuar nga regjisori i Todd Strauss-Schulson. Përveç dy protagonistëve, në këtë episod interpretojnë dhe aktorët Paula Garces, Eddie Kaye Thomas, David Krumholtz apo Danny Trejo.











