Violeta Banushi (Trebicka): Ju rrëfej “rrahjen” me tim shoq

Aug 7, 2011 | 11:54
Violeta dhe alfred trebicka, ne shfaqjen “Loje martese”

Aktorja dhe pedagogia e Akademisë së Arteve tregon për eksperiencën e fundit në skenë përkrah bashkëshortit të saj, Alfred Trebicka. Emocionet dhe sfidat e mizanskenës, të ndjerit e “tradhtuar” nga i shoqi pas 30 vitesh jetesë së bashku, nevoja për braktisje, interpretimi artistik dhe dy trofetë që i solli “lojë martese”.

Ndonëse një emocion i përsëritur, asnjë prej interpretimeve të saj nuk ka shije të njëjtë, atë të provuar. Prej bashkëpunimit të parë artistik “Anonimi i Venedikut”, që do të ngjizte ndjenjën e dashurisë mes të dyve, deri te roli i fundit në shfaqjen “Lojë martese”, Violeta Trebicka dëshmon se kapërcimi i viteve ka bërë punën e vet. Ajo është maturuar profesionalisht, ndihet e sigurt përkrah një aktori kalibri siç është i shoqi i saj, dhe secila përvojë artistike i ka shërbyer për të njohur më mirë veten, sigurisht, përmes karaktereve skenike. Pedagogia e Akademisë së Arteve rrëfen për interpretimin e fundit, me të cilën rrëmbeu dy çmime.
Ktheheni nga festivali i Podujevës me çmimin e shfaqjes më të mirë dhe nga Festivali i Teatrove në Dibër me trofeun e “Aktorit më të mirë”, që këtë herë shkoi për bashkëshortin tuaj, Alfred Trebicka. Ç’do të thonë për ty këto vlerësime?
Sigurisht që më bëjnë të ndihem e plotësuar profesionalisht. Çmimet janë vlerësim dhe për një krijim të caktuar artistik. Në festivalin e Podujevës, në momentin që u pohua marrja e çmimit, instinktivisht jam çuar në këmbë dhe e kam përqafuar regjisoren e shfaqjes, ish-studenten time për këtë trofe. U emocionova shumë… Ndërsa në kompeticionin tjetër artistik isha e bindur që çmimi i aktorit më të mirë do të vinte te Alfredi, dhe këtë e them pa kurrfarë modestie. Ishte një punë e madhe nga të dy ne si aktorë, si dhe nga regjisorja Dasara Xhangolli, që i cilëson të dyja këto çmime si stimuj të vërtetë për të çarë në rrugën e gjatë dhe të vështirë të artit.
Për ju si aktore, të interpretuarit përkrah bashkëshortit është disi një emocion i përsëritur, por çfarë kishte ndryshe këtë herë te “Lojë martese”?
Është e vërtetë që loja aktoreske me Alfredin është e përsëritur, por asnjëra herë nuk i ngjan tjetrës. Ndonëse njeriu e ka më të lehtë të shprehet për emocionet e fundit, që janë edhe më të freskëta. Nuk mund të harroj dot shfaqjen e parë me Fredin, “Anonimi i Venedikut”, ku unë isha studente e vitit të dytë në Akademinë e Arteve, dhe pikërisht kjo shfaqje do të shërbente si ngjizja e lidhjes sonë të dashurisë. Të tjera role do të pasonin, por interpretimi i fundit më ka bërë shumë për vete. Unë edhe Fredi jemi të dy individë që na pëlqejnë dramat njerëzore, sepse aty ka dhimbje, emocion, drithërimë. Nuk mund ta mohoj që nga roli në rol ndihem më e pjekur në skenë, partneri gjithashtu dhe koha ngjan se rrëzon të gjithë frikën dhe barrierat e fillimit.
Si është të luash me bashkëshortin në skenë?
Ka anët e veta pozitive edhe kjo gjetje. Sigurisht që nëse me një partner tjetër do të më duhej më shumë kohë për të finalizuar rolin, fakti që luan me bashkëshortin të ndihmon ta kuptosh menjëherë qëllimin, apo qoftë edhe një fjalë të lëshuar në ajër.
Në aspektin e harkut kohor, të qenit çift na ndihmoi goxha. Sigurisht që një partner i mirë dhe kualitativ në skenë e bën edhe më të lehtë interpretimin. Në momentin që mes aktorëve nuk ka rezonancë, efekt, atëherë do të na duhet të përpëlitemi për të realizuar misionin, dhe kjo të bën të dështuar që në krye të herës. Në pjesën profesionale regjisorja kishte merak a do ta pranonte rolin Alfredi, sepse duke qenë se me mua ishte një raport shumë i mirë dhe një marrëdhënie e krijuar herët në Akademi, frika ekzistonte kundrejt Fredit. Unë i shpreha atij që kisha dëshirë ta interpretonim të dy… Ai lexoi veprën e të famshmit Eduard Albee dhe nuk hezitoi të thoshte “po”-në personale.
Përpos anëve pozitive, cilat janë ato negativet?
Anët negative janë që largohemi të dy nga shtëpia për dy muaj rresht. Ikim në mëngjes herët dhe mblidhemi në darkë, duke iu larguar edhe vajzës sonë, Keit. Por, kam konstatuar me kalimin e kohës se më përpara, kur kam qenë më e re, kam pasur shumë kapriço, egon time të theksuar. Më duket sikur jam dorëzuar pa kushte në këtë pjesë, kam humbur në interpretimet me tim shoq dhe përballë tij në skenë ne jemi dy të huaj. Ndërtojmë një marrëdhënie, dashurohemi, urrehemi…, shumëçka.
Pohuat që “Lojë martese” ju bëri për vete që në çastet e para kur morët në duar skenarin. Çfarë ju intrigoi në të?
Vepra e Eduard Albee, “Lojë martese”, ulërin me të madhe! Ishte një emocion i padiskutueshëm tek unë në radhë të parë si aktore që në momentin e parë kur m’u propozua roli. Një “po” e menjëhershme dhe një nevojë për t’u përfshirë në botën e gruas që braktiset nga i shoqi pas 30 vitesh martesë së bashku. Ishte më shumë se ngacmim i çastit. Vetë historia e dy protagonistëve është goxha grishëse. Një çift bashkëshortësh në krizë, jetë e trazuar martesore. Kur ne pranojmë që vetë qenia individuale është komplekse, imagjinoni një marrëdhënie mes të ndryshmëve të mos jetë e tillë. Autori merret shumë me instinktin dhe përgjithësisht e vendos atë në gojën e mashkullit, i cilit bëhet pre e tij. Albee në fund të veprës thotë që kjo nuk është martesa jonë, kjo është thjesht martesë! Martesa e mirë nuk i bën dy njerëz një, por krijon individin, ndërsa në një martesë të dështuar njerëzit përpiqen të bëhen të ngjashëm me njëri-tjetrin.
Tingëllon kaq aktuale për ditët që jetojmë?
E tillë është! Në thelb, “Lojë martese” është vepër ekzistencialiste. Në një kohë kur jetojmë mes divorceve të përditshme dhe krizave në çift, kjo shfaqje është më tepër se e prekshme. Ka pasur shumë efekt tek të gjitha çiftet që e kanë parë nga afër dhe mes tyre nuk ka pasur nga ata që të mos përfshiheshin në një debat apo përjetim të ri pas shfaqjes. Reflektimi ishte i kudondodhur…
Një çift në vepër dhe një çift në skenë, ju dhe Alfredi… A shikoje pika të përbashkëta mes dy realiteteve?
Të përbashkët kam faktin e të pasurit të një martese. Unë dhe im shoq jemi të dy aktorë, por kjo nuk do të thotë që çdo gjë duhet ta kemi në jetë që ta luajmë në skenë. Atëherë, nëse duhet të luajmë vdekjen, duhet ta përjetojmë atë fillimisht, pastaj ta materializojmë në skenë. Sigurisht që pjekuria e moshës dhe eksperienca bëjnë të vetën, por në aspektin e krizave apo marrëdhënies problematike nuk kemi asnjë të përbashkët.
Cilat ishin vështirësitë për ty deri në momentin e përvetësimit të personazhit tënd, Xhilianit?
Pas shijes së mirë të fillimit nisin sfidat e vërteta me materializmin në skenë, aq sa ka pasur momente kur kam thënë: Po unë çfarë desha që u përfshiva? Xhiliani ishte një rol tepër i klasifikuar, karakteri i saj ishte kaq kompleks, me thyerje të jashtëzakonshme. Një grua amerikane, që bashkëshorti e tradhton me sekretaren e tij dhe pas 30 vitesh kërkon divorcin. Kjo e pranon qetësisht fare dhe e quan diçka krejt normale; gjë që për një karakter ballkanas nuk do të ishte kaq lehtë e pranueshme… Edhe sikur për të disatën herë të kërkonte divorcin, kishte shanse që ndonjë këpucë t’i fluturonte në kokë. Unë e kisha merak këtë pjesën e qetësisë në vetvete sepse në realitet jam krejt natyrë impulsive. Ishin këto barriera ku më duhej të punoja më shumë me veten për të mbërritur te karakteri final.
Dhe vjen pjesa më e vështirë, ku ju në skenë duhet të rrihni njëri-tjetrin. Si ia dolët?
Është një rrahje mirëfilli mes ne të dyve. Fillimisht menduam që vetëm të godisnim njëri-tjetrin dhe të fantazonim sikur, por kjo do të na nxirrte blof. Nëse nuk do të vinte nga një nerv i brendshëm i imi, nuk do të arrija ta godisja Alfredin. Ne u rrahëm vërtet dhe nisur nga kjo pasojat e përditshme ishin një krah i nxirë, një gisht i thyer, goditje që më linin shenja etj.
Violeta, ishte e vështirë për dy aktorë profesionistë si ju të punonit me një regjisore krejt të re, ish-studenten tuaj? Çfarë ka për t’u përmendur në këtë eksperiencë?
Ekziston një e vërtetë e madhe: që nuk ka art të skenës pa aktorin. Aktori ose e ngre, ose e ul një produksion. Aktorit duhet t’i flasë shpirti dhe nëse kjo nuk ndodh, vepra vdes. Merita e tekstit është e tjetërkujt, si e sjellim në skenë është e gjitha merita e jonë dhe e regjisorit. Në këtë shfaqje, kur pashë punën në procesin analitik nga Dasara dhe më pas materializmin e saj në skenë, konstatova që ishin ide vërtet të gjetura. Për ne të dy nuk ishte problem të qenit nën ombrellën e një regjisoreje të re. Më shumë ishte problem i saji dhe merak se si do të gjendej përballë nesh, dy profesorëve të saj. Si unë edhe Alfredi u dhamë në duart e saj, sepse e gjitha ishte çështje besimi. Dasara është vërtet një vajzë e re dhe goxha e talentuar.
Cilat janë sfidat tuaja të radhës?
Është një vepër e mirëfilltë dhe një shfaqje që do ta ngjit në skenë pas pak kohësh, por kjo në kuadër të diplomës sime të masterit. Për propozime të tjera e kam vështirë të flas përpara se të kem diçka të sigurt. Për momentin do të shijoj pushimet e verës me vajzën Keit dhe tim shoq.

 

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura