Hetimet e autoriteteve britanike ndaj vëllait më të vogël të mbretit Charles III, Andrew Mountbatten-Windsor, si edhe ndaj ish-ambasadorit britanik në SHBA Peter Mandelson, në lidhje me dosjen Epstein, pritet të zgjasin deri në një vit. Kështu deklaroi sot kreu i Prokurorisë së Britanisë.
Të dy figurat janë vënë nën hetim pas publikimit të miliona dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, që lidhen me biznesmenin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019. Deri tani, as ndaj Mountbatten-Windsor dhe as ndaj Mandelson nuk është ngritur ndonjë akuzë zyrtare.
Të dy ata kanë deklaruar se nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore, por kanë shprehur keqardhje për lidhjet e tyre të mëparshme me Epstein.
Sipas hetimeve, Mountbatten-Windsor dyshohet se gjatë periudhës 2001–2011, kur mbante një rol zyrtar në fushën e tregtisë dhe investimeve për Mbretërinë e Bashkuar, mund të ketë ndarë informacione sensitive me Epstein. Po ashtu, policia po verifikon pretendimet se një grua është transportuar në vitin 2010 në një rezidencë të tij për qëllime seksuale.
Nga ana tjetër, Peter Mandelson po hetohet për akuza se ka rrjedhur informacione konfidenciale drejt Epstein gjatë kohës që shërbente si ministër në qeverinë britanike.
Drejtori i Prokurorisë së Shtetit, Stephen Parkinson, deklaroi se çështja ndaj Mandelson është “komplekse” dhe se nuk duhet pritur që hetimet të përfundojnë shpejt.
“Do të ishte gabim të fokusohemi në një ngjarje apo transaksion të vetëm,” tha ai, duke shtuar se “nuk do të ishte e pazakontë që hetimet të zgjasin rreth një vit”, për shkak të kompleksitetit dhe dimensionit ndërkombëtar të dosjes.
© Panorama.al












