Ka përfunduar protesta e mbajtur këtë të enjte në Tiranë kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit, e cila shënoi ditën e pestë radhazi të tubimeve të qytetarëve në kryeqytet.
Mijëra protestues u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej, ku më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, ishin disa nga sloganet që ata thërrasin njëzëri.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje të ndryshme kundër qeverisë, ndërsa protestuesit vijuan të përsërisin kërkesat e tyre të panegociueshme, të cilat fillojnë nga dorëheqjen e qeverisë, te anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, për trashëgiminë kulturore shqiptare, si edhe shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë dhe Paketës së Maleve.
“Në vijim paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të Shqipërisë dhe të interesit kombëtar:
- Dorëheqjen e qeverisë
- Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare“, tha ai.
Pas më shumë se tre orësh, pjesëmarrësit janë shpërndarë në mënyrë paqësore, ndërdsa disa prej tyre janë drejtuar sërish drejt Sheshit Skënderbej.
Kujtojmë se revolta e tyre nisi të dielën, më 31 maj, pas një incidenti të rëndë të raportuar në Zvërnec, ku një qytetar u dhunua nga forcat e sigurisë gjatë kundërshtimit të punimeve në zonë.
© Panorama.al


























