Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje homologut rus Vladimir Putin që t’i japë fund luftës dhe të pranojë një takim të drejtpërdrejtë për të diskutuar arritjen e paqes.
Në një letër të hapur të publikuar mbrëmjen e së enjtes, Zelensky kërkoi armëpushim dhe dialog mes palëve, duke theksuar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftimeve.
“Mjaft më me betejat, zgjedhja tani është në duart tuaja”, shkruan presidenti ukrainas në mesazhin drejtuar Putinit.
Zelensky propozoi gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të mbikëqyrin zbatimin e një armëpushimi, duke shtuar se Ukraina është e gatshme për ndalimin e luftimeve gjatë zhvillimit të negociatave.
Deklarata e liderit ukrainas vjen vetëm pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin la të hapur mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, madje edhe me vetë Zelenskyn.
Duke folur në kuadër të Forumit Ekonomik të Shën Petersburgut, Putin tha se kur të vijë momenti për një marrëveshje, Rusia do ta nënshkruajë atë me përfaqësuesit legjitimë të Ukrainës.
“Do ta nënshkruajmë marrëveshjen me përfaqësuesit legjitimë të Ukrainës, ndoshta edhe me Zelenskyn”, deklaroi presidenti rus.
Megjithatë, Putin përsëriti se statusi ligjor i Zelenskyt si president duhet të vlerësohet nga juristët, duke rikthyer debatet e mëparshme të Moskës mbi legjitimitetin e mandatit të tij.
Putin: Ukraina duhet të bëjë kompromis
Presidenti rus u shpreh gjithashtu se Bashkimi Europian nuk mund të luajë rolin e ndërmjetësit në konflikt, por mund të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje duke nxitur Ukrainën të bëjë kompromis.
Ai vlerësoi edhe përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes, duke thënë se propozimet e tij mund të shërbejnë si bazë për një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit.
Sipas Putinit, pengesa kryesore mbetet mungesa e gatishmërisë së Ukrainës për të bërë lëshime në negociata.
Deklaratat e dy liderëve vijnë në një moment kur lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon prej më shumë se katër vitesh, ndërsa përpjekjet diplomatike për armëpushim ende nuk kanë sjellë një marrëveshje përfundimtare.
© Panorama.al












