Emiljano Vila ishte autori i golit të vetëm për Janinën në ndeshjen e djeshme në shtëpi ndaj Panaitolikos. Mesfushori shqiptar shënoi në minutën e 70-të të pjesës së dytë, pas një aksioni pa shumë pretendime nga ana e vendësve, por që u finalizua me shënjestrën e Vilës. Duhet thënë se Vila e nisi nga stoli këtë ndeshje. Ai u fut në lojë në fillim të fraksionit të dytë në vend të sulmuesit Bakajoko. Ndërkaq, nga minuta e parë dhe deri në fund të ndeshjes për Janinën luajti mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila. Ky ishte goli i parë zyrtar i Vilës me fanellën e Janinës që nga koha (vera 2011) kur erdhi te kjo skuadër. Ndërkohë në Itali, lojtari shqiptar, Ledion Memushaj, shënoi golin e parë të skuadrës së tij, Karpi, në fitoren 2-1 ndaj Pavias, e vlefshme për Lega Pro 1 (kategoria e tretë në Itali). Miqtë kaluan në avantazh të parët me anë të Falkos (43′), por Memushaj barazoi në të 59′. Golin e fitores e realizoi Euzepi (66′, me penallti). Për Memushajn, i cili ka veshur edhe një herë fanellën e Kombëtares shqiptare, gjatë miqësores me Maqedoninë në Korçë, ky ishte goli i tij i pestë në kampionat. Po në Itali, por në Serie A, Samir Ujkani luajti si titullar në ndeshjen e djeshme në Palermo, por Novara e tij sërish nuk arriti të merrte një rezultat pozitiv. Ujkani luante përballë skuadrës së tij, duke qenë se Palermo është klubi që ka në pronësi kartonin e portierit të Kombëtares shqiptare (është i huazuar te Novara). Ndërsa më keq ka shkuar kjo javë për Bogdanin, kjo jo vetëm se Çezena e tij humbi sërish, këtë herë në shtëpi nga Atalanta, por edhe se sulmuesi luajti vetëm 10 minuta.
Salihi, kinezët e zyrtarizojnë
Edhe pse mungon zyrtarisht firma e Hamdi Salihit me klubin e Shangshun Jatait, drejtuesit e këtij të fundit e kanë bërë zyrtare në uebsajtin e tyre. Siç dihet, lojtari duhet të kalojë fillimisht testet mjekësore, të cilat pritet t’i bëjë ditën e nesërme dhe më pas të konsiderohet 100 për qind lojtar i kësaj skuadre. Gjithsesi, referuar mediave austriake dhe kineze, akordi mes klubeve është arritur prej dy ditësh.











