Vidhet kablloja elektrike, 2 mijë banorë në errësirë

Jan 6, 2012 | 10:36

DURRES – Vjedhja e kabllove elektrike ka lënë në terr rreth 2 mijë banorë në Rrashbull të Durrësit. Sipas banorëve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ata aluduan për një mjet të dyshimtë me ngjyrë të bardhë brenda të cilit kanë qenë disa persona, autorë të mundshëm të vjedhjes. Burime nga Policia bënë të ditur se janë rreth 3 km kabllo elektrike të vjedhur, që ka zhytur në errësirë 500 familje. Autorët e vjedhjes kanë përdorur pinca dhe mjete të tjera për të arritur, pasi shtyllat në të cilat janë kabllot kanë një lartësi prej të paktën 7 metrash dhe ishte e vështirë që të këputeshin lehtë. Banorët shprehen se kabllon e kishin blerë me paratë e tyre dhe se tani nuk kanë mundësi që të paguajnë sërish për ta zëvendësuar. “Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Edhe më parë në këtë lagje janë vjedhur kabllo që shpërndajnë energjinë nëpër familje. Ne u detyruam që ta blinim kabllon e ri, por na e vodhën sërish”, shprehet Asqeri Hasanllari, banor i zonës. Përfaqësues të CEZ-it kanë bërë të ditur se do të zëvendësojnë përcjellësit, por i bëjnë thirrje policisë të marrë masa, pasi kompania ka humbur miliona lekë. l.m

© Panorama.al

Te lidhura