Videopërgjimi, Rrapaj: E vërteta për 700 mijë eurot

Dec 6, 2011 | 12:22
Biznesmeni Agim Rrapaj

Gjykimi i ish-zv.kryeministrit Ilir Meta për akuzën e “korrupsionit” në Gjykatën e Lartë vijoi dje me pyetjen e 4 biznesmenëve, të thirrur si dëshmitarë në proces. I pari në tavolinën e dëshmitarit u ul biznesmeni Agim Rrapaj, këshilltar ekonomik në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, që do të ndërtonte një hidrocentral në kaskadën e lumit Gostimë, Elbasan. Rrapaj rrëfeu para kolegjit penal në lidhje me koncesionet për ndërtimin e HEC-eve. Gjatë dëshmisë, ai tregoi për njohjen dhe raportet e tij me ish-zv.kryeministrin Meta. Ndër të tjera, ai konfirmoi një bisedë telefonike mes tij, ish-zv.kryeministit Ilir Meta, si edhe ish-ministrit Dritan Prifti. “Kam marrë një telefonatë nga Meta që më kaloi Priftin. Ai më kërkoi t’i çoja vendimin e gjykatës së Apelit. Prifti më tha në telefon t’i çoja një fotokopje të vendimit përmes protokollit. I thashë që vendimin ta kam sjellë në protokoll. Më tha ma sill prapë. I thashë që po s’e gjete, ta sjell”.
SHIFRAT
Shifra 700 mijë euro që përmendet në video-regjistrimin e realizuar nga Dritan Prifti në ish-zyrën e tij në Ministrinë e Ekonomisë, u lakua dje në seancë nga dëshmitari Agim Rrapaj. I pyetur nga Prokuroria se sa ishte kostoja e investimit në Gostimë e bashkimit të shoqërive ku Rrapaj bënte pjesë, dëshmitari u përgjigj: “Ka qenë mbi 700 mijë euro. Interesimit të prokurorit se kush ishte burimi financiar i këtyre të ardhurave, dëshmitari tha se ishin tri kredi bankare, si edhe kontributi i aksionerëve. Ndërkohë, shifra 20 për qind u përmend gjatë dëshmisë si përfitimi që do të kishte zotëruesi i shoqërisë ndërtuese të hidrocentraleve. Para kolegjit penal, dëshmitari tha se për ndërtimin e veprave kishte bashkëpunuar me shoqërinë që zotërohej nga biznesmeni Fatmir Merkaj. Sipas dëshmitarit, Merkaj do të ndërtonte me kosto zero dhe si përfitim do të kishte 20 për qind të aksioneve të koncesionit. “Meqë Merkaj kishte eksperiencë në ndërtimet e hidrocentraleve, i kërkuam që të bëhej aksioner në shoqëri, në vlerën 20 për qind të aksioneve”, tha dëshmitari. Këto shifra u përmenden edhe nga dëshmitari Ardit Rrapaj, djali i dëshmitarit Agim Rrapaj. Në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Vëllezerit Tola” sh.p.k, dëshmitari Ardit tha se shpenzimet në total kapnin shifrën e mbi 700 mijë eurove.
SHTYRJA
I pyetur nga ana e prokurorisë së cilat ishin shkaqet e shtyrjes së koncesionit, dëshmitari Rrapaj u shpreh: “Shkaku i parë ishte anulimi i ankandit të parë i zhvilluar në 2007-n, ku dhe shoqëria jonë ishte pjesëmarrëse. Një nga kompanitë pjesëmarrëse bëri ankesë dhe APP e anuloi koncesionin, duke pranuar ankesën e kompanisë në fjalë. Ne si shoqëri shkuam në gjykatë, e cila na nxori jashtë juridiksionit. Gjykata e Lartë na dha të drejtë dhe çështja u gjykua më pas në dy shkallët, ku ne fituam të drejtën.
Ankandi i dytë është zhvilluar më 30.04.2008 dhe, dy ditë përpara se të shpallej fituesi, APP ndërhyri sërish duke e anuluar për konflikt interesi, pasi një nga pronarët e tokës kishte një të afërm deputet dhe kjo u konsiderua konflikt interesi”.

Merkaj: Prifti më kërkoi peshqesh
TIRANE – Biznesmeni Fatmir Merkaj tha dje para gjykatës së lartë se ishte habitur kur ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i kishte përmendur peshqeshe, teksa ishin bashkë në tavolinë. I thirrur si dëshmitar në gjykimin ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, Merkaj tha se Priftin e kishte takuar për shkak të koncesionit të HEC-it në Gostimë. “Shtetasin Dritan Prifti e kam njohur në dy takime që më ka kërkuar. Prifti donte të dinte cilat ishin kompanitë që do të ndërtonin. Më ka marrë dhe një herë tjetër. Donte të vinte te hoteli që kam në Dhërmi”, tha dëshmitari Merkaj. Pyetjes së prokurorit në seancë, nëse i ishte kërkuar ndonjëherë favorizim financiar për koncesionet, dëshmitari iu përgjigj negativisht. “Unë merresha me ndërtimin, jo me marrjen e lejeve”, tha dëshmitari. Por në vazhdim, ai përmendi një rast kur Prifti i kishte përmendur fjalën “peshqesh”. “Në një bisedë tek hotel “R…” ai tha ‘këto bëhen dhe me ndonjë peshqesh’. Më çuditi, të them të drejtën”, u shpreh dëshmitari. Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari iu përgjigj sërish negativisht pyetjes së avokatëve mbrojtës të Metës në lidhje me ndonjë marrëveshje bashkëpunimi të shoqërisë së dëshmitarit për ndërtimin e fshatrave turistike. “Absolutisht jo. Unë nuk kam ndërtuar ndonjëherë fshatra turistike”, tha dëshmitari. Merkaj mohoi edhe pyetjen tjetër të mbrojtësve, nëse ai kishte qenë ndonjëherë shofer i ish-zv.kryeministrit Meta.                                                                                     ar.ba

Taçi: E takova Bekim Halijan
TIRANE – Në më pak se 20 minuta kohë, Gjykata e Lartë administroi dje në dosje edhe dëshminë e biznesmenit Rrezart Taçi. Nën funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të ARMO-s, biznesmeni Taçi rrëfeu për refuzimin që i kishte bërë propozimit të biznesmenit Bekim Halilaj në lidhje me dhënien me qira të një aseti të rafinerisë. Dëshmitari Taçi tha se nuk i kujtohej nëse koha kur i erdhi propozimi i Halilajt ishte në të njëjtën kohë kur Alb-Petrol shpalli ankandin e shitjes së një sasie nafte bruto. I pyetur nëse njihte Ilir Metën dhe Dritan Priftin, dëshmitari Taçi u shpreh: “I njoh të dy”. Ndërsa për pyetjen e përfaqësuesit të akuzës në proces se “A keni biseduar ndonjëherë me ta për biznesmenin Bekim Halilaj?”, dëshmitari iu përgjigj: Asnjëherë. Në nisje të seancës, Kolegji Penal relatoi dje se dëshmitari Taçi nuk ishte paraqitur, por vetëm pak më pas dëshmitari ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.

Reagon Prifti: Meta po mbrohet nga matrapazë droge

TIRANE – Ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka reaguar dje pak orë pas seancës së mbajtur në Gjykatën e Lartë në Tiranë. Ai ka sulmuar zyrtarin e LSI-së, Spartak Braho, i cili foli para medias dje duke thënë se dëshmitarët kishin akuzuar ish-ministrin Prifti. “Më vjen të qesh kur shoh sa poshtë ka rënë Ilir Meta me mbrojtjen në gjyqin e tij. Sot e kanë mbrojtur Spartak Braho dhe Fatmir Merkaj. Njeri është prokuror i komunizmit që ka dënuar njerëz në litar, pastaj i përzier në trafik droge i denoncuar nga vetë Ilir Meta, pasi kishte nxjerrë viza për 2 trafikantë droge të arrestuar në Itali”, tha Meta. Sipas tij, personazhi tjetër është ish-shofer i Ilir Metës, që mban sot fshehur nën emrin e tij aksione në koncesione hidrocentralesh dhe toka në bregdet. “Ata shpifën sot (dje) se kam kërkuar para për një koncesion, kur gjithë Shqipëria e pa videon me zë dhe figurë, ku shefi i tyre m’i afroi 700 mijë euro dhe 7%. Pse do t’i kërkoja këtyre unë, kur shefi i ofroi këto para?”- pyet Prifti në deklaratën e tij. Ai thekson më tej se “ta katandisësh veten të mbrohesh në gjykatë nga ish-shoferi yt dhe nga një matrapaz droge, kjo e bën Ilir Metën më të pabesueshëm në sytë e gjithë Shqipërisë”. Sipas Priftit, këto personazhe nuk i hedhin dot hi syve gjithë Shqipërisë”. Një javë më parë, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, kërkoi ekspertizë ndërkombëtare për videopërgjimin e kryer prej tij dhe mandej, tha se do t’i përgjigjej Ilir Metës dhëmb për dhëmb e deklaratë pas deklarate.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura