Videoja e Priftit, Gjykata “shtyn” vendimin

May 24, 2011 | 10:51

Kërkesa e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta për shpalljen si provë të papërdorshme të video-përgjimit të regjistruar nga ish-ministri Dritan Prifti do të shqyrtohet së bashku me dosjen e Prokurorisë së Përgjithshme për akuzën e “korrupsionit”.Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pranoi dje kërkesën e prokurorisë, që padia e avokatëve të Metës të shqyrtohet nga trupa e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen ndaj ish-zv.ministrit në themel. Në Gjykatën e Lartë u paraqitën dje përfaqësuesit ligjorë të ish-zv.kryeministrit Meta, avokatët Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, për nisjen e shqyrtimit të kërkesës së tyre për papërdorshmërinë si provë të video-përgjimit “Meta-Prifti”. Ata kërkuan pavlefshmëri edhe të akteve që rrjedhin prej përdorimit të videos si provë nga prokuroria. Në paraqitjen e kërkesave paraprake, prokurori i çështjes i kërkoi Kolegjit të kryesuar nga gjyqtari Medi Bici, që kërkesa e Metës t’i bashkëngjitej dosjes në themel ndaj tij. “Kjo kërkesë u  paraqit nga ana e personit nën hetim Ilir Meta dhe mbrojtësve të tij, në kohën kur dosja ishte ende nën hetim. Më 9 maj 2011, hetimi u mbyll dhe aktet e dosjes janë çuar për gjykim në Gjykatën e Lartë. Jemi në dijeni edhe që është përzgjedhur trupa gjyqësore që do ta shqyrtojë atë. Ne mendojmë se kjo kërkesë duhet të shqyrtohet nga trupa që po gjykon çështjen në themel”, tha prokurori Bujar Sheshi. Nga ana e tyre, avokatët kundërshtuan pretendimin e prokurorit. Pas më se dy orësh, në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal vendosi pranimin e kërkesës së prokurorit dhe dërgimin e akteve të dosjes në dosjen penale ku Meta akuzohet për “korrupsion”. Kolegji që do të gjykojë Ilir Metën për akuzën e “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” do të ketë si relator gjyqtarin Ardian Dvorani. Ndërsa anëtarë të Kolegjit do të jenë gjyqtarët Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.
SHFUQIZIMI
Kërkesë-padia e ish-zv.kryeministrit Meta, me objekt “Shfuqizimin e vendimit të datës 08.03.2011 të Prokurorisë së Përgjithshme”, u depozitua në Gjykatën e Lartë më 16 mars të këtij viti. Avokatët e tij pretendonin në kërkesë papërdorshmërinë si provë të videos “Meta-Prifti”, si edhe të gjitha akteve të rrjedhura prej saj. Sipas tyre, videoja e ekspertuar nga prokuroria ishte bërë në mënyrë të fshehtë nga Prifti dhe ishte kopjuar e hedhur  elektronikisht në disa objekte të tjera. Këto objekte janë sekuestruar nga ana e akuzës, duke u konsideruar prej tyre si prova materiale. “Kjo video nuk mund të përdoret si provë, sepse gjatë marrjes së saj nuk janë respektuar kërkesat e ligjit procedural penal”, argumentohej në kërkesën e avokatëve depozituar në Gjykatë më 16 mars. Avokatët kërkonin papërdorshmëri edhe për aktet e ekspertimit, të cilave u është nënshtruar videoja. Sipas mbrojtësve, në dy raste ajo ishte ekspertuar nga ekspertë të huaj, amerikanë dhe anglezë, ku në caktimin e tyre nuk ishin respektuar kërkesat e ligjit. Njëkohësisht avokatët pretendonin se nuk ishin vënë në dijeni për aktet e ekspertimit të prokurorisë. Tjetër shkak ku përligjnin kërkesën e tyre për shfuqizimin e vendimit të prokurorisë, mbrojtësit përmendnin moszbatimin e rregullave të Kodit të Procedurës Penale dhe të Konventës Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale. Sipas tyre, ekspertimi i kryer nga eksperti anglez A.Philips ishte privat dhe marrja e akteve nuk ishte bërë me anë të letërporosive.

Kërkesa e papërdorshmërisë

.    Nuk është respektuar ligji në caktimin e ekspertëve të huaj

.    Nuk janë njoftuar për aktet e ekspertimit

.    Prokuroria u ka hequr të drejtën në lidhje me kërkesat ndaj ekspertëve

.    Ekspertimit në Angi, me ekspert privat, në kundërshtim me ligjin

.    Aktet që kanë ardhur nga jashtë vendit nuk kanë kaluar nëpërmjet institucionit të Ministrisë së Drejtësisë

.    Videoja është marrë si provë në kundërshtim me ligjin

Papërdorshmëria e videos së dytë, tërhiqet avokati i ish-zv.ministrit

TIRANE – Gjykata e Lartë pushoi dje shqyrtimin e një kërkesë-padie të ish-zv.ministrit të Ekonomisë, Leonard Beqiraj. Bëhet fjalë për kërkesën e ish-zv.ministrit për papërdorshmërinë si provë të një videoje ku shfaqej ai dhe ish-ministri Dritan Prifti, teksa shkëmbenin një shumë parash prej 70 mijë eurosh. Kërkesa për pushimin e gjykimit u bë dje nga mbrojtësi ligjor i ish-zv.ministrit, avokati Vladimir Meçi. “Kërkojmë heqjen dorë nga kërkesa jonë për kundërshtimin e provës”, tha avokati. Pasi u njoh edhe me pretendimin e prokurorisë, Kolegji Penal pranoi kërkesën e avokatit. “Gjykata vendosi pushimin e gjykimit”, thuhej në dispozitivin e vendimit. Videoja për të cilën Beqiraj pati depozituar një kërkesë në Gjykatën e Lartë u zbulua në lap-topin personal të ish-ministrit Dritan Prifti. Sipas Prokurorisë, ajo ishte regjistruar nga Prifti në banesën e tij në kryeqytet në mars të vitit 2010. Kjo video ishte ruajtur në kompjuterin e Priftit dhe më pas ishte fshirë. Gjatë hetimeve të Prokurorisë për videon “Meta-Prifti”, një ekspert amerikan riktheu materialet e fshira në lap-top, çka riktheu edhe këtë video. Pasi videoja u administrua si provë, prokuroria nisi hetime ndaj Beqirajt dhe Priftit, hetime të cilat vazhdojnë.

LSI: Kërkesa jonë nuk u gjykua

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi dje se Gjykata e Lartë nuk ka shqyrtuar kërkesën e bërë pranë saj për pavlefshmërinë e përgjimit të përdorur si provë nga prokuroria. LSI theksoi se në seancën e djeshme, Gjykata e Lartë ka vlerësuar vetëm një kërkesë të ndërmjetme të prokurorit që çështja e vlerësimit të videos të bashkohet me çështjen e themelit dhe të gjykohet në tërësi bashkë me atë çështje. Sipas deklaratës së LSI për median, Gjykata e Lartë vendosi t’i bashkojë dy çështjet. Pas bashkimit të dy çështjeve në një, pritet që trupi gjykues që ishte zgjedhur për kërkesën e prokurorisë të shqyrtohet nga gjyqtarët Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura