Videoja e Metës, 1 muaj për ekspertët

Sep 24, 2011 | 12:52
Avokatët e Metës, dje në Gjykatën e Lartë

Videoja në të cilën ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka filmuar veten duke marrë 70 mijë euro, ka rënë dje në duart e ekspertëve që do të verifikojnë vërtetësinë e përgjimit të Ilir Metës. Gjykata e Lartë i dha dje një muaj kohë tre ekspertëve shqiptarë të cilët do të ekspertojnë videoregjistrimin “Meta-Prifti”. Seanca në të cilën ata do të raportojnë konkluzionet e tyre u la në 24 tetor, kur pritet që tre ekspertët të paraqesin para Kolegjit Penal konkluzionet e tyre mbi vërtetësinë e videos. Në këtë seancë ekspertët do të sjellin përgjigje për 18 detyrat dhe pyetjet të

Ekspertët e videos Meta-Prifti në Gjykatë

cilat u përcaktuan dje nga Gjykata e Lartë. Ekspertimi i provave të sekuestruara nga Prokuroria, USB-së, orës dhe lap-topit të Priftit do të mbikëqyret nga një përfaqësues i Prokurorisë. Mes provave që gjykata u dorëzoi dje ekspertëve, ndodhet edhe ora që përmban videon me vetëregjistrimin e Dritan Priftit. Seanca e djeshme e gjykimit në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Meta, e cila zgjati mbi 5 orë, u zhvillua mes kundërshtish të forta të palëve në lidhje me përjashtimin apo jo të ekspertëve, si dhe për objektet të cilat do t’i nënshtroheshin ekspertimit. Nga ana e saj, Gjykata rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për përjashtimin e ekspertëve, si edhe kërkesën që ora e Priftit e sekuestruar nga Prokuroria të mos i nënshtrohej ekspertimit.
“FRIKA” E PROKURORISË
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë proces, prokurori Bujar Sheshi, i kërkoi dje Kolegjit Penal që të ekspertojë vetëm USB-në e dorëzuar nga Dritan Prifti në Prokurori, brenda të cilës ndodhet regjistrimi “Meta-Prifti”. Sipas prokurorit, kjo kërkesë bëhej për shkak të pranisë së videos tjetër “Prifti-Beqiri” në orën-përgjuese. “Objekt i ekspertimit nga ekspertët e përcaktuar nga Gjykata të jetë USB-ja dhe jo ora e sekuestruar. Kjo për shkak se në orë ndodhet dhe një video tjetër mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirit, që është provë në një hetim tjetër”, kërkoi prokurori Sheshi. Sipas prokurorit, vënia në dispozicion e orës për ekspertët, do të paraqiste rrezik për sekretin hetimor të këtij procedimi. Nga pretendimet e prokurorisë u la të nënkuptohej se “rrjedhja” e videos tjetër mund të ishte presion për Priftin, i cili është dëshmitari kryesor në këtë proces ndaj Metës në Gjykatë të Lartë. Pretendimi i prokurorit u kundërshtua nga avokatët e Metës. Sipas tyre, ekspertëve duhet t’u jepeshin të gjitha provat, USB-ja, ora edhe kompjuteri lap-top. Por, edhe nga vetë ekspertët u pretendua se për të realizuar detyrat e gjykatës u nevojitej një kopje “klon” e të gjithë hard-diskut të lap-topit të Priftit. Më herët, gjykata rrëzoi pretendimet e prokurorit për përjashtimin e ekspertëve. “Asnjë prej ekspertëve nuk zotëron kushtet profesionale dhe as pajisjet e nevojshme teknike”, pretendoi prokurori. “Nga studimi i C.V-ve të tyre na rezulton se Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri nuk disponojnë asnjë njohuri të posaçme në lidhje me programet kompjuterike për përpunimin e materialeve audio-vizive”, tha prokurori. Sipas tij, vetëm Artur Rrahmani kishte njohuri të tilla, në sajë të një trajnimi 4 ditor të bërë në Rusi, ku kishte marrë dhe një certifikatë. Por, po sipas prokurorit, në një korrespondencë me postë elektronike me qendrën që ka lëshuar certifikatën u është thënë që “Certifikata e STC-së (Speech Technology Center) ka për qëllim të provojë faktin e përmbylljes me sukses të kursit STC, por nuk vërteton zyrtarisht kompetencën e ekspertit në lidhje me ekzaminimet kriminalistike audio”.

Detyrat kryesore
.    A gjendet në orë regjistrimi i videos?

.    Cila është ora dhe data e audio-regjistrimit?

.    A mund të përcaktohet ora e shkarkimit në lap-top e videos?

.    A ka ndërhyrje video dhe audio në videoregjistrimin “Meta-Prifti”?

.    A mund të përcaktohet se me ç’mjete është bërë shkarkimi?

.    A mund të pastrohet videoregjistrimi nga zhurmat?

.    Materialet e marra në kasetën DVC të programit “Fiks Fare” a janë autentike me ato që janë gjetur në orë dhe në lap-top-in e Priftit?

Avokati: Prokuroria mashtroi për provën origjinale
TIRANE – Pas përfundimit të seancës së djeshme, avokatët mbrojtës të Ilir Metës deklaruan për median se kërkesa e Prokurorisë për mosekspertimin e orës tregon se gjithë procesi në Gjykatën e Lartë është i montuar. “Në seancën e sotme gjyqësore, nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë iu kërkua Gjykatës që ekspertët e thirrur prej saj të mos u vënë në dispozicion orën në të cilën është realizuar përgjimi Meta-Prifti. Ora është e  vetmja provë materiale origjinale. Pasi në orë nuk gjendet regjistrimi i fshehtë Meta-Prifti. Gjë që tregon se gjithë ky proces është një proces i montuar dhe një lojë politike”, u shpreh avokati Veleshnja. Në vijim, avokati u shpreh se “seanca e sotme konfirmoi njëkohësisht edhe faktin se Prokuroria në mënyrë abuzive ka ndikuar në marrjen e vendimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta”. Sipas deklaratës së avokatit, Prokuroria kishte dezinformuar publikun dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kur ka deklaruar në kërkesën e saj se disponon filmimin origjinal dhe provën origjinale materiale të marrë në orën përgjuese.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura