VIDEO+FOTO/ Replikat Shehaj-Balla, deputeti i “Mundësia”: Taulant, po i bëni nder Ballukut! Socialisti: Burrëria s’është kusht që të veshësh pantallona, je i vetmi politikan që…

Feb 3, 2026 | 15:19

Seanca plenare ditën e sotme në Kuvend nuk ka kaluar pa tensione, denoncime dhe akuza mes deputetëve të të dy kampeve.

Në sy ranë debatet e forta mes kreut të Partisë Mundësia, deputetit Agron Shehaj dhe kryetarit të grupit të PS, Taulant Balla.

Ndërsa mori fjalën për çështjen kur po diskutohej për projektligjin dhe ndryshimet për lëndët psikotrope, Shehaj hodhi akuza ndaj mazhorancës për mbrojtjen që po i bënin Belinda Ballukut, duke iu drejtuar kreut të grupit të PS, Balla në retorikë politike. Gjithashtu për referencë opozitari kujtoi se socialistët nuk e imagjinonin kurrë të arrestohej kryebashkiaku Erjon veliaj apo që të merrej e pandehur Balluku.

Para se të niste fjalën e tij, pikërisht në mbarim të asaj të Shehajt, të dy deputetët patën një debat edhe pranë tavolinave kur u shkëmbyen. Opozitari i tregoi dokumentet që mbante në dorë, që ishin materiale për zv/kryeministren Balluku, kurse Balla i përgjigjej duke bërë shenja dhe xheste me duar (foto poshtë).

shehaj dhe balla perplasja

Shehaj tha:

“Dolën përgjime për Belinda Ballukun, 1,3 mld euro, për Thumanë-Kashar e kam fjalën. Ju zgjodhët t’i bëni nderin e jetës. Zgjodhët t’i bëni nderin e jetës një oligarku. Më kë jeni ju, zgjidhni oligarkun, abuzuesit dhe jo qytetarët, sepse abuzoni bashkë. Nuk besoj ti Taulant (i drejtohet Ballës), se e vërteta është që ngrihesh në mëngjes dhe thuaj do i bëj nder atij, por e vërteta është se ju jeni bashkë, zgjidhni dikë me të cilin ndani paratë, ky është nderi që bëni, zgjidhni atë si ortakë. Në të vërtetë nderin ia bëni vetes tuaj. Pse e bëni? Sepse keni kapur drejtësinë, deri dje e kishit nën kontroll”, tha ligjvënësi opozitar gjatë seancës plenare. . Për ju ishte e paimagjinueshme që kryetari i bashkisë së Tiranës të merrej e të mbyllej në burg. Për ju ishte e paimagjinueshme që SPAK të vij këtu e t’ju kërkojë arrestimin e zv/kryeministres, ndaj ju doni ta bllokoni”.

agron shehaj

Balla iu përgjigj me replikë nga Foltorja, duke i kujtuar Shehajt blerjen e mandatit të deputetit në vitin 2017, sipas historisë shpjegoi ai, që i kishin treguar, duke iu referuar ish-kryetarit të PD, Basha.

Gjithashtu i kujtoi ligjvënësit opozitar kohën kur Veliaj e vizitonte te biznesi i tij, duke nënvizuar se Shehaj është i vetmi politikan që paguan për share në Facebook dhe e bën politikën nëpërmjet rrjeteve sociale.

balla dhe shehaj parlament perplasja

Replika e Ballës:

“Si the ti, si thonte Erjoni për ty (Veliaj), histori suksesi, na erdhi Goni, na erdhi Goni, ka ardhur këtu, na ka sjellë modelin… Nuk po shpik, po i referohem lajmeve publike të një vizite që ministri i Mirëqenies Sociale ka bërë në biznesin e një sipërmarrësi që kishte ardhur e po investonte dhe ministria po e mbështeste.

Shiko, burrëria nuk është kusht që vetëm të veshësh pantallona, se mund të veshës edhe pantallona, por prapë ti, për fatin e keq, ashtu siç ke hyrë në këtë sallë në vitin 2017, ta kam thënë shpesh, se ma kanë thënë ata që të sollën këtu, se si erdhe.

Nuk bëhesh dot politikan duke paguar para o Agron për të hyrë deputet dhe duke bërë boost-a e postime në Facebook, je politikani që paguan më shumë lekë për share në Facebok. Lekë gjaku, o aman, ngele duke paguar lekët aty, je politikani që paguan më shumë lekë. Ti s’ke faj se ti lekë gjaku i ke, se je i vetmi që paguhesh me lekë nga buxheti i shtetit. A kam të drejtë o Jozefinë… (i drejtohet Topallit)”.

balla1

© Panorama.al

Te lidhura