Banorët e zonës së “Urës së Dajlanit” kanë dalë sot në një protestë për shkak të projektit të Bashkisë së Durrësit, për urbanizimin e zonës, pastrimin e kanalit që është bllokuar nga mbetjet dhe pas situatës së përmbytjeve të fundit.
Bashkia pritet të ndërtojë një rrugë dhe lulishte, teksa banorët thonë se janë edhe në proces legalizimi dhe kanë paguar taksat rregullisht. Jetojnë aty prej 30 vitesh, madje edhe kur janë përmbytur nuk janë ankuar.
Me pankarta në duar dhe thirrje, ata kërkojnë vetëm një gjë nga bashkia: Strehim diku dhe pagesën e qirasë, që të mos mbeten rrugëve. “Duam shtëpia, duam shtëpia”, ishin thirrjet e tyre.
Autoritetet kanë dërguar shkresa para dy ditësh dhe kërkojnë boshatisjen, kurse sot aksioni u anulua për shkak të protestës së banorëve. Afati që u kanë lënë është vetëm 10 ditë.
“Jetoj prej vitit 1998 këtu, me proces legalizimi. Afat 10 ditë, para dy ditësh ka ardhur, nuk kemi ku shkojmë, kemi gati 30 vite këtu. Kam edhe dy fëmijë, madje njëri autik, paguajmë ilaçe, shpenzojmë dhe nuk kemi para”, shprehet një prej banorëve gjatë protestës.
Shumë prej tyre thonë se janë në vështirësi ekonomike, pa punë, të sëmurë dhe me fëmijë që kanë gjithashtu probleme të ndryshme shëndetësore dhe trajtohen me ilaçe.
“Të në gjejë shtëpi, strehim, sa të nxjerrim plaçkat dhe ua lirojmë ne. Kanë ardhur që të premten, kanë ardhur sot përsëri, por sot dolëm ne para, sepse do i kishin prishur”, rrëfen një tjetër.
Kurse një banor tjetër shprehet se ka votuar për qeverinë aktuale, kurse tani duan t’i nxjerrin në rrugë.
“Jam i shqetësuar nga projekti i pastrimit të kanalit këtu. Do spostohet kanali, do na prishen shtëpitë. Ata që paguajnë do shpëtojnë. Thonë se do bëhet lulishte, do bëhet rrugë. Ka vend plot për ta bërë, pse këtu. Kemi që nga viti 1998, paguajmë ujë, drita, kemi nisur legalizimin, taksat, edhe votën ua kemi dhënë, Ramës ia kemi dhënë madje. Meqë shteti do bëka diçka, të na ndihmojë, të na dërgojë në një banesë me qira, kërkojmë strehim nga Bashkia të paktën a ndihmë, duam të strehohemi”, tregon ai.
Një grua e revoltuar kërkon ndërhyrje nga shteti për zgjidhje për banorët.
“Jam e sëmurë, kanë ardhur të më prishin shtëpinë, ku do shkoj? Djali ka 4 fëmijë të vegjël. Kanali nuk është faji jonë, e kanë bllokuar të tjerët, pse të prishen shtëpitë. Kërkojmë strehim që të mos rrimë rrugëve. Jemi të rregullt”, thotë ajo.
Banorët argumentojnë se nuk është faji i tyre se kanali bllokohet herë pas here, pasi përgjegjës janë të tjerët. Kurse tani e pësojnë shtëpitë e tyre. Ata thonë se janë dakord për prishjen, por në fillim t’u garantohet strehimi.
“Jam e sëmurë, jam invalidë, ja ku i kam ilaçet. Jemi pa strehë, me fëmijët, me gocën, rrugës po flemë, po na prishin shtëpitë. S’kemi lekë të rrimë me qira, fukarenj jemi, një copë bukë hamë, goca vetë i gjashtë me 5 kalamaj. Ku të shkojmë?”, rrëfen një tjetër banore e dëshpëruar.
Banorët shpjegojnë se janë në hall të madh, nuk kanë më se çfarë të bëjnë, pasi nuk po i dëgjon askush.
© Panorama.al











