VIDEO/ Tërmet dhe tsunami, rritet bilanci i tragjedisë në Filipine, 32 të vdekur, dhjetëra të zhdukur dhe mbi 200 të plagosur! Shikoni si rrafshohen ndërtesat dhe panikun te njerëzit

Jun 8, 2026 | 15:22

Të paktën 32 persona humbën jetën dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë të shkallës Rihter, që goditi Filipinet jugore të hënën dhe më tej u shoqërua me tsunami.

filipine

Dridhja goditi brigjet e ishullit Mindanao, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, rrëshqitje toke dhe një cunami që arriti një metër në zonat bregdetare.

Qyteti i General Santos, me më shumë se 700,000 banorë, ishte në epiqendër të shkatërrimit, pasi dhjetëra ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë.

Të paktën 12 persona janë ende të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar në shkolla, depo, supermarkete dhe ndërtesa të tjera të dëmtuara.

Situata ishte veçanërisht tragjike në provincën Sarangani , ku një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga tërmeti mori jetën e 13 banorëve, ndërsa katër persona të tjerë humbën jetën në pjesë të ndryshme të rajonit. Sipas autoriteteve, shumica e vdekjeve të mbetura ishin për shkak të shembjeve të ndërtesave dhe rrëzimit të mbeturinave, përfshirë ato në një xhami dhe banesa në provincat e Cotabatos Jugore dhe Davao Occidental. Dridhja e fuqishme goditi ndërsa qindra nxënës ishin në shkollë për ditën e parë të mësimit pas një pushimi dy-mujor. Në qytetin e Malitës, më shumë se 100 nxënës po merrnin pjesë në një ceremoni ngritjeje flamuri kur toka filloi të dridhej. Drejtori i shkollës përshkroi skena paniku, me nxënës që qanin dhe ulërinin, megjithëse nuk u raportuan lëndime serioze në mjediset e shkollës.

Cunami në Filipine, Indonezi dhe Japoni Pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami. Valë deri në 1.4 metra u regjistruan në zonat bregdetare të Filipineve, ndërsa valë më të vogla arritën në Indonezi, Palau dhe zona të largëta të Japonisë. Autoritetet e hoqën paralajmërimin rreth pesë orë më vonë, pasi rreziku tashmë ishte ulur. Megjithatë, disa vendbanime bregdetare u dëmtuan nga valët. Presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr. urdhëroi pezullimin e mësimit në zonat e prekura dhe urdhëroi mobilizimin e menjëhershëm të agjencive qeveritare. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po koordinohen me Manilën dhe janë të gatshme të ndihmojnë në operacionet e reagimit ndaj krizave, ndërsa Franca dhe Zelanda e Re gjithashtu dërguan mesazhe mbështetjeje. Sizmologët paralajmërojnë për lëkundje të forta pasuese, duke u bërë thirrje banorëve të mos kthehen në ndërtesat e dëmtuara derisa të përfundojnë kontrollet e nevojshme.

© Panorama.al

Te lidhura