Një prej protestuesve mbrëmjen e sotme para kryeministrisë akuzoi Policinë dhe qeverinë për arrestimin e djalit të tij në protestën e djeshme.
Ai ka ngritur akuza të forta dhe ka kërkuar arrestimin e truprojës së ministrit Ulsi Manja, duke iu referuar ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së një dite më parë.
Në fjalën e tij, protestuesi tha se mbërriti me vonesë në tubim pasi ishte angazhuar me çështjen e djalit të tij, për të cilin pretendoi se u arrestua në mënyrë të padrejtë.
“Ju kërkoj falje që erdha pak me vonesë, por isha me arsye, sepse një bandë, me në krye Ulsi Manjën, e nxitur nga Taulant Balla dhe kreu i bandës Edi Rama, ma grabiti djalin, i cili po pinte kafe në një lokal,” u shpreh ai.
Protestuesi pretendoi se gjatë ngjarjeve të së enjtes janë shkelur procedurat ligjore dhe akuzoi policinë se nuk ka ndërhyrë.
“Dje u shkel ligji me grabitjen e çunave tanë. Policia bënte sehir,” deklaroi ai.
Në vijim, ai kërkoi arrestimin e truprojës së ministrit të Drejtësisë, për të cilin pretendon se është përfshirë në incident.
“Të arrestohet bodyguardi i Ulsi Manjës, Saimir Koka. Të arrestohet ai nga policia e pushtetit, ndryshe do e arreston populli. Ju erdhi fundi”, tha protestuesi.
© Panorama.al












