Shqiptarët janë populli më proamamerikan dhe më proevropian në Ballkan dhe se protesta mbahet kundër politikanëve dhe pushtetarëve që kanë grabitur Shqipërinë.
Kështu u shpreh sot nga podiumi i protestës një prej emigrantëve folës para mijëra qytetarëve para kryeministrisë, teksa i bëri thirrje qeverisë për dorëheqje dhe për lirimin e të arrestuarve dje para Kuvendit.
“Interesat politike shitën një demokraci falsë dhe larguan të gjithë qytetarët dhe studentët. Rama në burg dhe të gjithë ata që i ndjekin nga pas. Mua më kanë dekoruar pishtar i demokracisë, por i kam refuzuar. Sepse këta janë këlyshë të bolshevizmit, janë me mision që të vjedhin e grabisin shqiptarët e pastaj t’i largojnë nga Shqipëria. I bëj një pyetje kryeministrit, kryehajdutit të Shqipërisë, kur flet për ata 850 mijë vetë kontratë, a i ke pyet ata votues pse janë larguar. Ata atje janë gati të sheshin edhe familjet e tyre për pushtet”, tha ai mes të tjerash.
Emigranti rrëfeu edhe eksperiencën e hidhur personale, ku u kthye në Shqipëri për të investuar miliona, por pushteti me marifetet e tij e grabiti. Qytetari tregoi se ishte edhe pishtar i demokracisë i dekoruar, por e kishte refuzuar.
“Po ju them edhe diçka, mua më kanë dekoruar pishtar i demokracisë po unë i kam hedh në kosh të plehrave ato. Sepse nuk pranoj të dekorohem nga këlyshët e komunizmit, sepse jam qytetar, jam i thjeshtë. Pavarësisht se kisha sukses në Evropë, erdha dhe investova në 2010 dhe humba 12 vite të jetës time, humba dhe miliona euro, humba miqtë e mi, te këto rrjeti i merimangave të cilët i mashtrojnë shqiptarët për të investuar, i marrin paratë dhe pastaj i largojnë nga Shqipëria. Këta janë këlyshët më bolshevikë, të pabesë dhe nuk kanë as nder e as imam, por kanë thjesht mision të vjedhin e grabisin shqiptarët, e pastaj t’i largojnë nga Shqipëria”, tha ai.
Më tej ai tha se nuk janë kundër investimeve amerikane apo evropiane, por kundër pushtetit abuziv. Ai shtoi se rinia dhe diaspora janë e ardhmja e vendit dhe jo hajdutët politikanë.
“Asnjë nga ne nuk jemi kundër investimeve evropiane dhe amerikane, ne jemi populli më amerikan në Ballkan, por këta që janë duan ta vjedhin Shqipërinë. Rinia dhe diaspora është e ardhmja e Shqipërisë dhe do e çojnë në BE, jo këta hajdutët këtu. Jemi në momente të vështira, populli lufton për ekzistencë, ose ne, ose ata”, vijoi ai.
Një thirrje shkoi edhe për diasporën, që nesër kur të vinin për protestë të filmonin pengesat në kufi nga Policia dhe t’i denonconin. Në fund edhe apel për Policinë që të lironte të arrestuarit.
“Thirrje të gjithë diasporës që të bëjnë filmime nga pikat kufitare nëse i ndalojnë, që të tregojmë se si vepron diktatura. I bëj thirrje edhe Ministrisë së Brendshme që të lirojnë ata çunat e arrestuar, sepse janë patriotë të vërtetë, janë atdhetarë, ndaj t’i lirojnë sa më parë”, përfundoi emigranti.
© Panorama.al












