Në redaksinë e gazetës “Panorama Online” ka mbërritur një denoncim nga banorët e fshatit Shtrezë, të zonës së Shishtavecit në Kukës, ku një urë e dëmtuar nga reshjet e ditëve të fundit, po rrezikon jetën e banorëve.
Siç shihet edhe nga pamjet, ura ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është shembur plotësisht, duke u kthyer në rrezik për 20 familje të asaj zone dhe sidomos për fëmijët, të cilët e përdorin për të shkuar në shkollë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet, për të siguruar një urë të sigurt për ta dhe për fëmijët, si dhe për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
Kujtojmë se reshjet e dendura të shiut gjatë javës që lamë pas shkaktuan dëme të mëdha në shumë zona të vendit.
Mijëra hektarë tokë u përmbytën si edhe qindra banesa, duke detyruar qytetarët të lënë shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin.
Po ashtu, përmbytjet shkaktuan edhe një viktimë, pasi një 75-vjeçare u mbyt në përroin e fshatit Proger në Devoll.
© Panorama.al












