Pas disa orësh protestë për dorëheqjen e qeverisë dhe kreut të saj Edi Rama para kryeministrisë, mijëra qytetarë kanë nisur marshimin e tyre nëpër rrugët e Tiranës.
Protestuesit kanë nisur lëvizjen drejt bulevardit dhe institucioneve qendrore, duke vijuar me thirrje dhe pankarta kundër qeverisë.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit u kanë bërë thirrje të rinjve që t’i bashkohen protestës për vijimin e lëvizjes së tyre dhe kanë përsëritur thirrjen për dorëheqjen e Ramës.
“Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!” ishin dy nga thirrjet e dëgjuara nga turma, ndërsa protestuesit vijojnë marshimin në mënyrë paqësore.
“Revolucion, revolucion; Edi rama ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru; Dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje”, janë parullat që ata thërrasin njëzëri teksa dynden rrugëve të kryeqytetit.
© Panorama.al


















