Djali i gjyqtarit italian Rocco Chinnici të vrarë në atentat nga mafia italiane ka deklaruar se modeli që krijoi dhe aplikoi babai i tij u përdor nga shumë magjistratë perëndimor, duke i ardhur në ndihmë drejtësisë.
Në një intervistë për News24, Giovanni Chinnici u pyet se çfarë mund të mësojë Shqipëria nga përvoja italiane në luftën kundër mafies dhe korrupsionit? Si përgjigje, Giovanni Chinnici tha se “ajo që bëri babai i tij ka vlerë universale”.
“Metoda që u krijua dhe u aplikua nga Rocco Chinnici dhe gjykatësit e tij, duke nisur nga fillimi i viteve ’80, është ajo që u përshtat nga të gjitha magjistraturat perëndimore. Dhe unë besoj se kjo metodë ka një vlerë universale. Kështu që sot besoj se ekziston një moment veçanërisht i favorshëm i bashkëpunimit mes Europës, Shqipërisë dhe Italisë, ku mund të shërbejnë edhe përvojat e drejtësisë.”
Sipas tij, vlerat e drejtësisë, të shoqërisë, të respektimit të rregullave kushtetuese, janë rregulla universale.
Pjesë nga intervista
Si ndryshoi jeta juaj pas atentatit të vitit 1983?
Giovanni Chinnici: Jeta ime ndryshoi në mënyrë radikale. Unë isha një djalosh, isha vetëm 19 vjeç. Dhe babai im ishte për mua, ashtu si për të gjithë familjarët, shtylla e familjes. Ishte një njeri shumë i fortë, që na jepte energji dhe kurajo të gjithëve në familje, si në gjërat e vogla, ashtu edhe në ato të mëdha. Kështu që pas vrasjes së tij, unë isha i detyruar — ashtu si familja ime — të rikrijoja jetën time, duke jetuar pa shtyllën e familjes. Dhe pak nga pak, me kalimin e viteve, besoj se ia kam dalë.
A mendoni se është bërë drejtësi e plotë për vdekjen e babait tuaj?
Giovanni Chinnici: Kjo është një pyetje komplekse, sepse për babain tim — ashtu si për magjistratë të tjerë, përfaqësues të institucioneve, biznesmenë, gazetarë, politikanë që janë vrarë — janë bërë procese shumë të rëndësishme, që kanë evidentuar përmasat e këtyre masakrave. Kështu që ata mafiozë, edhe ata që organizuan masakrat, u dënuan që nga faza fillestare e masakrave. Ajo që mbetet në hije, në ato kohë në Itali, dhe që ka ende procese që duhet të zbulojnë se kush i ka urdhëruar këto masakra. Dhe kjo është shumë e vështirë të zbulohet edhe nga drejtësia, pasi kanë kaluar shumë vite.
Cili ishte momenti më i vështirë për ju pas asaj humbjeje?
Giovanni Chinnici: Në vitet e para kishte dhimbje, ishte dhimbja për atë gjë të tmerrshme që kishte ndodhur. Ka edhe pamje nga masakra që kishte ndodhur, që unë i përjetova fillimisht nga shtëpia. Isha i pari absolutisht që e mora vesh. Ishin vite të karakterizuara nga dhimbja e tmerrshme, por ishte e nevojshme të ndërtohej ky ekuilibër në brendësi të personalitetit tim dhe të familjarëve që kishin më pak rol me vdekjen e babait tim. Ishte shumë e vështirë. Sot, përkundrazi, mund të them se çështja e babait tim, edhe pse e dhimbshme, është një pasuri e jetës sime. Sepse falë ndjekjes së punës së këtyre magjistratëve, ai ka lënë shembuj të rëndësishëm që u zhvilluan jo vetëm në Itali, por edhe në Europë, që zbatuan metodën e tij si gjykatës. Kështu që për mua është një pasuri — por u deshën shumë vite për këtë.
Sipas jush, cilat janë pengesat kryesore që sot ndalojnë vazhdimin e angazhimit për ligjshmëri që kishte nisur babai juaj?
Giovanni Chinnici: Unë besoj që sot magjistratura, policia, institucionet që angazhohen në luftën kundër krimit të organizuar kanë arritur nivele të efikasitetit ekstremisht të vlefshme. Kështu që sot në Itali nuk ekziston më një problem i luftës kundër krimit të organizuar. Mafia, krimi i organizuar, sot luftohen në Itali me efikasitet të lartë. Ajo që është e nevojshme të bëhet, dhe ka ende shumë për të bërë, është një punë sociale. Pra të punohet me ato kategori të shoqërisë italiane — dhe janë ende shumë — sidomos në jug. Italia është shumë e ndryshme nga jugu në veri. Këto kategori që janë ende të dobëta janë ata mbi të cilët mafia, ndryshe nga vitet ’70, ’80, ’90 të shekullit të kaluar, përpiqet të ndikojë duke u ofruar të mira që shteti nuk mund t’ua japë. Sot nuk ekziston një emergjencë për mafian. Mafia nuk qëllon më, nuk bën veprime të dhunshme. Ekziston një problem social që nuk duhet të përballohet nga magjistratura dhe policia, por nga komponentë të tjerë të shtetit.
Sipas jush, çfarë mund të mësojë Shqipëria nga përvoja italiane në luftën kundër mafies dhe korrupsionit?
Giovanni Chinnici: Metoda që u krijua dhe u aplikua nga Rocco Chinnici dhe gjykatësit e tij, duke nisur nga fillimi i viteve ’80, është ajo që u përshtat nga të gjitha magjistraturat perëndimore. Dhe unë besoj se kjo metodë ka një vlerë universale. Kështu që sot besoj se ekziston një moment veçanërisht i favorshëm i bashkëpunimit mes Europës, Shqipërisë dhe Italisë, ku mund të shërbejnë edhe përvojat e drejtësisë.
A besoni se vlerat e drejtësisë dhe ligjshmërisë që përhapi babai juaj janë universale, të vlefshme edhe për vende që sot përballen me vështirësi të ngjashme si Shqipëria? Shpesh e krahasojnë mafien shqiptare me atë italiane.
Giovanni Chinnici: Vlerat e drejtësisë, të shoqërisë, të respektimit të rregullave kushtetuese, janë rregulla universale. Në këtë kuptim nuk ka ndonjë diferencë mes shteteve të ndryshme, siç është BE-ja, apo ndaj shteteve që nuk janë pjesë e saj. Janë vlera universale dhe si të tilla mund të zbatohen si në nivel konceptual, ashtu edhe në atë të zbatimit.
© Panorama.al











