Një nga aktivistët e protestës qytetare që vijon të rezistojë prej 48 ditësh në bulevard, tha se lëvizja popullore për herë të parë në 35 vite vendosi një standard moral dhe vrau frikën.
Ai kërkoi nga podiumi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe tha se është koha për revolucion, pasi të korruptuarit nuk e kuptonin dot lëvizjen qytetare.
“Janë bërë projekte pa vizion e të ardhme. Kemi arritur të rrëzojmë frikën, gardhet e krimeve urbane, kemi ngritur diskurs kombëtar që nuk njeh frikën dhe me lëvizjen tonë kemi çliruar rrugët e bulevardit. Kemi arritur komunikimin e masave, i domosdoshëm për të dalë nga zgjedha e regjimit 35 vjeçar dhe kjo vetëm në 48 ditë, pa fuqi të mëdha, pa BE e SHBA. Kemi vendosur një standard të ri moral në politikë. Standard që është Rama në burg, Berisha në burg”, tha ai mes të tjerash.
Ai i cilësoi kërkesat e protestuesve si të moralshme dhe të drejta, teksa bëri thirrje edhe për anulimin e projektit ë Zvërnecit.
“Kërkesat tona janë të drejta dhe morale, ndaj shteti i korruptuar nuk i kupton. Ata nuk e kuptojnë kërkesën tonë për të anuluar projektin, u duket absurde se ajo që kërkojmë nuk është me njëjtë me atë që kërkojnë ata. Ndaj ata të hapin rrugën që gjërat të vijojnë në mënyrën kulturore. Ngjarja jonë nuk është e zakonshme, ajo ndryshon fatet”, vijoi ai.
Në fund aktivisti i bëri thirrje kreut të qeverisë se ishte koha për t’u larguar, kurse për qytetarët u shpreh se nuk duhet të shkonin me pushime apo të shihnin TV, por të vinin në shesh.
“Nuk është koha për pushime dhe për të parë TV por për revolucion. Është koha për të bërë gjënë e duhur nga kryeministri. Dorëheqje”, përfundoi ai.
© Panorama.al












