Një vajzë nga Tirana është kërcënuar se nëse nuk paguante 8 mijë euro, videot e momenteve intime të saj me të dashurin do të shkarkoheshin në internet. Policia thotë se gjobëvënësi në këtë rast është pikërisht ai që ka regjistruar videot në fjalë. Ky person, sipas Policisë, ka qenë i dashuri i vajzës së dëmtuar nga ngjarja. Bashkëpunëtorja e tij, e dashura aktuale, ishte kushërira e “viktimës” së kësaj skeme. Ajo tashmë është e fejuar me një tjetër person. Ngjarja ka ndodhur rreth 20 ditë më parë, në Tiranë, kur 23-vjeçarja, Valbona B., është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë për të parandaluar hedhjen e videove në internet nga ish-i dashuri dhe kushërira, pasi nuk kishte siguri edhe po të paguante gjobën që i kishin vënë. Pas denoncimit të vajzës së re, policia ka nisur hetimet me metodat speciale, duke përgatitur në bashkëpunim me 23-vjeçaren skemën e pagesës së parave të kërkuara nga dy të dyshuarit. Personat e dyshuar për gjobëvënie, ishin Gentjan Krashi, 33-vjeç dhe e dashura e tij, njëkohësisht kushërira e “viktimës”, Viola Merko. Të dy të dyshuarit u arrestuan në një lokal në rrugën “5 Maji” në Tiranë, ku i priste Valbona B., pasi ishte ngritur “kurthi” nga policia për të paguar gjobën e vënë prej 8 mijë eurosh. Ky ka qenë momenti ku është kryer edhe arrestimi në flagrancë i të dyshuarve, me akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Ndërsa pas arrestimit, Gentjan Krashi ka mohuar deklarimet e ish-të dashurës së tij, duke hedhur poshtë historinë e gjobëvënies, pasi sipas tij nuk bëhej fjalë për kërcënim, por për kthimin e një borxhi që ajo i kishte prej kohësh. Nga denoncimi që ka bërë në polici, 23-vjeçarja Valbona B., më 1 dhjetor të këtij viti, është shprehur se ish-i dashuri i saj dhe kushërira, që është e dashura e tij e re, po e kërcënojnë vazhdimisht në telefon, madje i kanë vënë edhe gjobë 8 mijë euro. Sipas saj, ata i kërkonin para në mënyrë që të mos publikonin disa video intime në internet, që ishin regjistruar pa dijeninë e saj në një motel në Dajt, gjatë kohës që ajo ishte e lidhur me Gentjan Krashin. Vajza ka deklaruar se aktualisht ajo është e fejuar dhe kjo histori mund të shkatërronte lidhjen e saj aktuale. Menjëherë pas denoncimit, policia nisi hetimet me metodat speciale, derisa u provua vepra penale dhe u identifikuan autorët e u arrestuan autorët e gjobëvënies.
Etleva Delia











