Një histori e pazakontë nga SHBA-të po bën aktualisht xhiron e rrjetit. Një i ri që njihet si Youtuber, është arrestuar pasi akuzohet se ka fituar miliona duke shkatërruar makina luksoze dhe videot e tyre i publikonte në internet për klikime dhe përfitime.
Ishte gushti i vitit 2023 kur nisi fenomeni i WhistlinDiesel, një Youtuber që ka 10 milionë ndjekës dhe në atë video të tij, ai i vuri flakën një Ferrari F8, me vlerë 400,000 dollarë.
YouTuber-i 27-vjeçar u arrestua më 12 nëntor me akuzën e evazionit fiskal, në lidhje me blerjen e Ferrari F8. Sipas aktakuzës, Detwiler dhe kompania e tij WhistlinDiesel, LLC “u përpoqën në mënyrë të paligjshme të shmangnin ose të anashkalonin çdo taksë që i detyrohej shtetit të Tenesit prej 500 dollarësh ose më shumë”.
Akuza për evazion fiskal lidhet me Detwiler (emri i tij i vërtetë) që nuk ka paguar taksën e shitjes në shtetin e Tenesit për një Ferrari F8 Tributo të vitit 2020, që e bleu në vitin 2023. Ky është një krim i Klasit E, megjithëse YouTuber pretendoi se nuk ishte në dijeni të asaj për çfarë po arrestohej.
Detwiler filmoi momentin kur gjashtë oficerë e arrestuan në pronën e tij dhe e postoi pamjet në Instagramin e tij. Në video, ai tha se nuk ishte në dijeni të akuzës për evazion fiskal, duke shtuar se kishte paguar të gjitha taksat shtetërore dhe federale.
“Gjithmonë i kam paguar të gjitha taksat dhe ende nuk jam i sigurt se për çfarë bëhet fjalë, nuk kam marrë asnjë njoftim para kësaj. Është caktuar një datë gjyqi dhe do të jap përditësime të vazhdueshme”, tha ai.
I riu u dërgua në Burgun e Qarkut, ku qëndroi për disa orë, por u lirua më vonë gjatë ditës pasi thuhet se pagoi një garanci prej 20,000 dollarësh. YouTuber-i tani është planifikuar të paraqitet në gjykatë më 19 nëntor për t’u mbrojtur nga dy akuza për evazion fiskal – një për vete dhe një për kompaninë e tij.
Përveç Ferrari F8 të djegur, lista e automjeteve që ai ka shkatërruar deri më tani përfshin një Mercedes-AMG G63 që iu nënshtrua testeve ekstreme në disa video para se të shtypej, dhe një Rolls-Royce Phantom VIII, që e copëtoi me sharrë elektrike para se ta shkatërronte me një makinë shkatërruese.
Lista e makinave përfshin gjithashtu dy Nissan R32 Skyline GT-R, një Dodge Challenger SRT Hellcat, si dhe disa makina e kamionë të tjerë, më pak të shtrenjta.
© Panorama.al













