Bashkimi Evropian ka hedhur një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të Ukrainës, duke hapur grupin e parë të kapitujve të negociatave të anëtarësimit, të njohur si “çështjet themelore”.
Ky vendim u mor gjatë Konferencës Ndërqeveritare BE–Ukrainë, e zhvilluar sot në Luksemburg, dhe konsiderohet si një moment kyç në rrugën e Kievit drejt anëtarësimit në familjen evropiane.
Kapitujt e parë të negociatave përfshijnë standardet bazë mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian, si shteti i së drejtës, të drejtat themelore të njeriut, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike.
Nga Luksemburgu, zëvendësministrja për Çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Rauna, e cilësoi këtë zhvillim si një “moment historik”, duke theksuar se ai dërgon një mesazh të qartë për të ardhmen e Ukrainës në BE. Sipas saj, Ukraina ka treguar “angazhim të fortë për integrimin evropian”, pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballet.
BE thekson se procesi i anëtarësimit bazohet në meritë dhe se progresi i Ukrainës do të monitorohet vazhdimisht gjatë gjithë negociatave, në përputhje me standardet evropiane.
Kapitujt e negociatave ndahen në gjashtë grupe kryesore, që përfshijnë: çështjet themelore, tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin, agjendën e gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme, burimet, bujqësinë dhe kohezionin, si dhe marrëdhëniet e jashtme.
© Panorama.al












