“Misioni i jetës sime!”- Netanyahu: Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore sa të jem unë kryeministër! Shpëtuam Izraelin nga shfarosja

Jun 15, 2026 | 21:50

“Sa kohë të jem kryeministër, Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, deklaroi sot kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë për shtyp, pas njoftimit të marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

maketa-netanyahu

Sipas “Times of Israel”, duke mbrojtur rezultatet e fushatës së përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit dhe në një kohë kur po përballet me kritika të brendshme në rritje për mënyrën se si u mbyll konflikti, Netanyahu u shpreh se parandalimi i pajisjes së Teheranit me armë bërthamore është “misioni i jetës” së tij, duke garantuar se Irani nuk do të ketë kurrë arsenal bërthamor gjatë kohës që ai është në pushtet.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e hapi konferencën me një mbrojtje të fortë të asaj që ai e quajti sukses i operacionit të përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit, duke u zotuar se, pavarësisht çdo marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit, Republika Islamike nuk do të pajiset me armë bërthamore. “Është misioni i jetës sime”, tha ai.

Përballë reagimeve të shtuara brenda vendit, përfshirë edhe nga figura brenda qeverisë së tij, lidhur me përfundimin e dukshëm të luftës, Netanyahu përsëriti se parandalimi i armëve bërthamore iraniane është “misioni i jetës” së tij.

“Me marrëveshje apo pa marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore as sot, as nesër. Sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi ai.

Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se programi bërthamor iranian përbënte një “rrezik të menjëhershëm” dhe se Izraeli kishte arritur ta neutralizonte atë “së bashku me miqtë tanë amerikanë”.

“Ne ndërmorëm operacionin më të madh ofensiv në historinë e Izraelit. Synuam shkencëtarët bërthamorë. Eliminuam udhëheqjen e regjimit. Shkatërruam objektet bërthamore. Goditëm raketat dhe pjesën më të madhe të industrisë së tyre të prodhimit të raketave. Dëmtuam industri dhe infrastrukturë ushtarake të panumërta. Shkatërruam marinën dhe forcën e tyre ajrore. Goditëm komandantë bazash që, sipas tij, kanë masakruar popullin iranian. I shkaktuam dëme të mëdha, disa i vlerësojnë në qindra miliarda dollarë, ndërsa të tjerë afrojnë edhe një trilion dollarë ekonomisë së Iranit”, tha ai.

Sipas Netanyahut, këto operacione kanë larguar një kërcënim ekzistencial për Izraelin.

“E larguam këtë rrezik shkatërrimi të popullsisë së Izraelit për vitet që vijnë. Këtë arritëm. E shpëtuam Shtetin e Izraelit nga shkatërrimi”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai pranoi se përballja nuk ka përfunduar. “Lufta nuk ka mbaruar dhe nuk është përfunduar. Do të duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë, të fortë dhe të vendosur, dhe të mbrojmë veten për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ai.

Netanyahu theksoi se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Iranin, por edhe me organizatat që ai i cilësoi si “degë terroriste” të Teheranit. Sipas tij, Izraeli do të vazhdojë operacionet në Gaza, Liban, Siri, Jemen dhe Bregun Perëndimor.

Duke iu përgjigjur indirekt shqetësimeve për kufizime të mundshme nga SHBA mbi veprimet ushtarake të Izraelit, ai deklaroi se vendi ka krijuar “zona të thella sigurie” rreth kufijve të tij.

“Ne krijuam zona të thella sigurie rreth Izraelit… në Gaza, Liban dhe Siri”, tha ai, duke shtuar se “do të mbetemi në këto zona për sa kohë të jetë e nevojshme për të mbrojtur vendin”.

Ai gjithashtu tha se Izraeli do të vazhdojë të neutralizojë kërcënimet në rajon dhe të forcojë marrëdhëniet diplomatike me vendet e Lindjes së Mesme dhe më gjerë.

“Do të vazhdojmë të parandalojmë kërcënimet në rajon”, deklaroi kryeministri izraelit, duke shtuar se qeveria e tij do të punojë për të “ndërtuar aleanca të reja” dhe për të “siguruar pavarësinë e sigurisë sonë”.

Në këtë kuadër, ai njoftoi edhe një rritje të ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes.

“Kam vënë në dispozicion 350 miliardë shekelë shtesë (rreth 88 miliardë euro) për buxhetin e mbrojtjes”, tha ai, duke shtuar se investimi do t’i mundësojë Izraelit zhvillimin e kapaciteteve më të avancuara mbrojtëse.

Sipas tij, vendi do të zhvillojë teknologji që “tejkalojnë kufijtë e imagjinatës” dhe do ta bëjnë Izraelin “një fuqi edhe më të fortë” në vitet e ardhshme.

© Panorama.al

Te lidhura