VIDEO/ Përfundon me marshim masiv protesta e 16-të për largimin e kryeministrit: Rama jepe dorëheqjen! Nesër më shumë!

Jun 15, 2026 | 23:28

Mijëra qytetarë u mblodhën sërish sot në protestën e 16-të, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Protesta nisi fillimisht me grumbullimin e mijëra protestuesve në sheshin “Skënderbej”. Më pas, qytetarët kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë, ku për disa orë janë mbajtur fjalime nga qytetarë të ndryshëm dhe emigrantë shqiptarë që janë bashkuar nga diaspora, duke artikuluar kërkesën e përbashkët për dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Gjatë tubimit përpara Kryeministrisë, thirrja kryesore e protestuesve ka qenë “Rama jepe dorëheqjen”, e cila tashmë është kthyer në refren të çdo proteste, dhe thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’bur”, “Ju erdhi fundi”.

protesta e 16 (9)

Pas disa orësh qëndrimi poshtë zyrës së kryeministrit, marshimi është zhvendosur në disa prej akseve kryesore të Tiranës, ku protestuesit kanë vijuar me slogane politike, këngë patriotike dhe thirrje kundër qeverisë.

Rrugëtimi i protestuesve ka përfshirë zona të ndryshme të qytetit, përpara se turma të rikthehej sërish në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët kanë përmbyllur tubimin.

protesta e 16 (5)

Në krye të marshimit u vunë studentët, të cilët kanë udhëhequr turmën gjatë gjithë lëvizjes së sotme në qytet. Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për vijimin e qëndresës dhe shtimin e pjesëmarrjes ditën e nesërme, duke deklaruar “nesër më shumë”.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, protesta pritet të vijojë sërish nesër në orën 18:00, ku pritet të shënohet tubimi i 17-të radhazi.

protesta e 16 (10) protesta e 16 (8) protesta e 16 (9)

protesta e 16 (2)

© Panorama.al

Te lidhura