EMISIONI VETTING
Akuzat për lidhjet me kompanitë “Alko Impex”
Përtej aspektit me deklarimin e pasurisë dhe CV-së profesionale, Joniad Myzyri ka treguar se edhe në punën e këtij institucioni ka patur mangësira.
Shpeshherë Komisioni i Prokurimeve Publike nën drejtimin e Jonaid Myzyrit ka qenë në qendër të akuzave për favorizimin e kompanive private, ku ai ka qenë i punësuar. Sipas deklaratës së hershme në 2016, opozita shqiptare ka akuzuar Myzyrin se ka favorizuar kompanitë “Alko Impex”, ku si administrator shfaqet Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi nga Partia Socialiste.
Kjo është njëra nga deklaratat e vitit 2016 kur Myzyri ishte inspektor te KPP-ja. Edhe në 2020 zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka lëshuar të njëjtat akuza për lidhjet me kompanitë “Alko Impex”, por në këtë rast Myzyri ka qenë në pozicionin e drejtuesit të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Në asnjë rast, Myzyri nuk ka përgënjeshtruar deklaratat duke nënkuptuar se ka qenë i punësuar te kjo kompani. Janë të paktën dy tendera, për të cilët kompanitë kanë bërë ankesa, por çështja ka përfunduar në Gjykatë.
Konkretisht në shtator të vitit të kaluar u organizua tenderi për rindërtimin e Spitalit Rajonal të Dibrës, ku u shpall fitues me ofertë 2.9 milionë euro bashkimi i kompanive “Rafin Company” dhe “Udha” shpk.
Në garë mori pjesë edhe kompania “ALKO-IMPEX General Construcion” me administrator Arbër Abazin, i cili bëri ankesë për tenderin, ku në mars 2024 Komisioni i Prokurimit pranoi pjesërisht ankesën, duke urdhëruar Spitalin e Dibrës që të anullojë tenderin dhe ta rishpallë sërish tenderin.
Por çeshtja do të përfundonte në Gjykatën Administrative pasi bashkimi i kompanive fituese do të ankimonte vendimin e Komisionit. Me anë të vendimit nr. 68, datë 22.07.2024 Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, duke e detyruar Spitalin e Dibrës që të vazhdojë me tenderin dhe të lidhte kontratën me kompanitë fituese.
Megjithatë Komisioni i Prokurimit Publik do të prodhonte një rast të paprecedentë pasi nëpërmjet një akti të pazakontë, KPP-ja ka urdhëruar Spitalin që të pezullojë zbatimin e vendimit të Gjykatës. Në fakt, vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim, por nëpërmjet një shkrese me Gjykatën e Lartë, KPP-ja deklaron se ky rast është i veçantë dhe kjo i jep të drejtën të pezullojë tenderin.
Kjo situatë ka vazhduar prej disa muajsh, derisa në skenë ka hyrë edhe përmbarimi.
Rasti tjetër që ka përfunduar në Gjykatën e Lartë lidhet me tenderin e Himarës, ku fillimisht në prill 2022 janë shpallur fitues disa kompani dhe është skualifikuar bashkimi i kompanive “ALKO-IMPEX General Construction” dhe Alko Impex”, të dyja me administrator Arbër Abazin.
Në këtë rast, Abazi ka bërë ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik, ku Jonaid Myzyri ka kualifikuar të dyja kompanitë “Alko Impex”.
Por bashkimi i kompanive fituese “Pastrime Silvio” shpk dhe “ A.E.K & Co” shpk” kanë bërë padi në Gjykatën Administrative, e cila u ka dhënë të drejtë, por ka deklaruar se tashmë kontrata është lidhur me kompanitë “Alko Impex”.
Edhe pse kompanitë i kanë bërë kërkesë Bashkisë Himarë se pse nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës që rrëzonte vendimin e KPP-së, përsëri Bashkia Himarë ka lidhur kontratën.
Tashmë çështja është në Gjykatën e Lartë në përplasjen midis bashkimit të kompanive “Pastrime Silvio” shpk dhe “A.E.K & Co” shpk” kundra Komisionit Prokurimit Publik, kompanive “Alko Impex”, Bashkisë Himarë dhe Avokaturës së Shtetit.
LEXO EDHE: Vetting: 650 milionë euro fonde publike u dhanë pa garë! Ekspertët skanojnë 40 tenderat me ‘flamuj të kuq’! Berberi dhe Verdho ‘spastruan’ konkurrencën
Tenderi i uniformave të policisë dhe lidhjet me kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike! Vetting: Joniad Myzyri shiti aksionet 510 euro, ish-ortaku fitoi pa garë! Si e fshehu në deklaratën e pasurisë
Si u katapultua në si kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike vartësi i Belinda Ballukut! Vetting: Dritëhijet e Joniad Myzyrit, dyshimet për fshehje të ardhurave nga OJF-të dhe misteri i apartamentit tek Unaza e re