
I jep fund jetës në 2-vjetorin e vdekjes së gruas. Një shtetas grek, i cili jetonte në qytetin e Memaliajt ka kryer aktin vetëvrasës, pasi kishte lënë një pllakatë vdekjeje, ku kishte gdhendur më parë emrin dhe datën kur do të linte këtë botë. Ilija Kondajanis, 62 vjeç, lindur në Athinë, i dha fund jetës duke vënë një lak në fyt e më pas duke shkrehur dhe pistoletën në ballë.Ngjarja e rëndë ndodhi dje, kur mbusheshin 2 vjet nga vdekja në aksident e gruas së grekut, Ana Çoka, 44 vjeçe. Kjo e fundit ishte mësuese anglishteje dhe jepte mësim në shkollën 9-vjeçare të Memaliajt. Mësuesja kishte vënë kurorë disa vjet më parë dhe bashkëjetonin më së miri-rrëfejnë komshinjtë për gazetën “Panorama”. Një aksident automobilistik, i ndodhur dy vjet të shkuara, shkaktoi vdekjen e saj, çka u përjetua mjaft keq nga viktima 62-vjeçare. Shtetasi grek kishte blerë shtëpi në qytetin e Memaliajt, në kohën kur vendosi kurorë me gruan e tij të dytë, pas divorcit me gruan greke 10 vjet më parë. Kondajanis punonte si inxhinier nafte në sektorin e Janinës dhe rastësisht ishte njohur me gruan e tij të ardhshme shqiptare gjatë një udhëtimi. Mësohet se ditët e fundit, viktima qëndronte i heshtur dhe pinte cigare përballë vendit ku kreu vetëvrasjen. Madje një ditë para, ai ishte kthyer nga Janina, pasi kishte bërë pazar ushqimor. Disa orë para aktit të vetëvrasjes, të gjitha ushqimet që gjendeshin në frigoriferin e tij, ia dha një familjeje që gjendej në pallatin ku banonte. Ka qenë ora 04:00 e ditës së diel, kur është dëgjuar krisma e pistoletës. Komshinjtë kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendngjarje, në apartamentin në kat të parë, i cili gjendet pas godinës së Filialit të Albtelecomit në Memaliaj. Pas veprimeve të grupit hetimor, rezultoi se akti i veëtvrasjes është kryer në ballkonin e apartamentit të viktimës Ilia Kondajanis. Ky i fundit kishte lidhur një litar në një nga panelet metalike që mbante dushin dhe u vetëvar. Pasi nuk jepte dot shpirt, ai rrëmbeu pistoletën tip “Zastava”, që e mbante pa leje në brez, dhe qëlloi një herë të vetme në drejtim të zemrës. Viktima ishte i përgatitur për të kryer vetëvrasje. Kjo ka habitur vetë grupin hetimor, pasi gjeti një pllakatë mermeri për në varr, ku gjendeshin të formuluara emri i tij, dita dhe viti i lindjes, si dhe dita dhe viti i vdekjes, të gjitha këto së bashku me fotografinë e porcelanizuar të shkruara në alfabetin cirilik helen. Pas ngjarjes, policia deklaroi se prej 1 viti viktima kurohej për depresion.
Aksidenti i gruas
Dy vjet më parë, i ndjeri së bashku me gruan e tij po shkonin në kryeqytet dhe humbja e kontrollit të mjetit që drejtonte Ilija Kondojanis, rezultoi fatale vetëm për të shoqen. Aksidenti me pasojë vdekjen ndodhi në orën 04:00 të mëngjesit të 18 shtatorit të 2009-s, në hyrje të Lushnjës.
Saktësia
Në të njëjtën datë dhe në të njëjtën orë me vdekjen e gruas, shtetasi grek planifikoi vetëflijimin e tij. Pikërisht më orën 04:00 të mëngjesit dhe më datë 18 shtator kanë ndodhur të dyja ngjarjet e rënda.
MEMALIAJ/ PIRO NASE
© Panorama.al











