Vetëvendosje: Zbatoni masat ose protestë e re më 22 janar

Jan 16, 2012 | 12:27

Nga protesta e Vetëvendosjes

Lirohen 131 protestues të së shtunës, aktivistët dhe deputetët e arrestuar denoncojnë dhunën e policisë.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga kërkesa për zbatimin e masave të reciprocitetit, dhe me gjithë arrestimet e akuzat për dhunë nga policia kundër aktivistëve të saj, u zotua dje se do të mbajë një tjetër protestë më 22 janar. Pas aksionit të së shtunës, me qëllim bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, aktivistët e Vetëvendosjes thanë se do të nxisin deri në fund zbatimin e masave të reciprocitetit ekonomik, politik e tregtar ndaj Serbisë. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, tha se “në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Kosovës, më 22 janar, të dielën e radhës, do të kemi aksionin në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Po ashtu, kemi thënë se nëse qeveria e Kosovës nis zbatimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë gjatë kësaj jave, natyrisht se nuk do ta mbajmë këtë protestë”, tha Ahmeti. Bllokimi i kalimit të mallrave dhe personave nga Serbia në protestën e së shtunës, funksionoi vetëm për disa orë nga Vetëvendosja, pasi Policia e Kosovës nuk i lejoi ata të afroheshin deri në kufi dhe i shpërndau duke përdorur arrestime të shumta, gazin lotsjellës dhe ujin e ftohtë. Qindra protestues ishin mbledhur në protestën e së shtunës dhe qindra të tjerë ishin bllokuar në akset rrugore nga policia, që të mos arrinin në destinacionin e kërkuar nga Vetëvendosja, sipas aktivistëve të kësaj lëvizjeje. Kryetarët e Vetëvendosjes thanë se është përdorur dhunë e tepruar ndaj protestuesve dhe ndërhyrja ishte brutale.
Lirohen aktivistët
Nga 146 aktivistë të Vetëvendosjes që u arrestuan të shtunën gjatë protestës së kësaj lëvizjeje, vetëm 15 ndodhen ende në burg dhe gjithë të tjerët janë liruar. Me gjithë akuzat e një deputeti të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, se policia ka përdorur dhunë, zyrtarët e rendit u shprehën se shifrat kanë treguar se më të dhunshëm kanë qenë demonstruesit, pasi janë plagosur 32 efektiva policie dhe 20 protestues. Të gjithë ata kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në mesin e të arrestuarve ishin edhe 2 deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes. Një prej tyre ishte deputeti e njëkohësisht nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se është rrahur në mënyrë brutale nga policia.
Gjendja e normalizuar
Që pas bllokimit të protestës në portat doganore 3 dhe 5 nga Policia e Kosovës, ka nisur qarkullimi i mjeteve dhe personave nga Serbia. Gjendja tashmë paraqitet e normalizuar dhe rrugët janë të lira për qarkullim. Policia e Kosovës ka njoftuar që të shtunën, pas orës 15:00, dy kamionë serbë kaluan në pikën doganore në Merdarë, ndërsa te pika tjetër, Dheu i Bardhë, rruga ishte hapur plotësisht në orën 18:00. Vetëvendosja ka shpallur protestën e radhës pas një jave, për të cilën ka deklaruar sërish se nuk do të ketë dhunë nga pjesëmarrësit e saj.

Sot protestojnë OJQ-të
Sot, përpara ndërtesës së qeverisë në Prishtinë, do të protestojnë 25 organizata joqeveritare kundër dhunës që ka ushtruar Policia e Kosovës mbi protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje ditën e shtunë. “Qeveria policore dje dhunoi qytetarët dhe institucionet e shtetit të Kosovës. Ne dënojmë ashpër dhunën brutale të urdhëruar nga qeveria e Kosovës dhe të ushtruar nga policia ndaj qytetarëve në protestën e djeshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje!. Po ashtu, ne shprehim revoltën tonë ndaj qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila përmes deklaratave të saj ka legjitimuar dhunën e qeverisë së Kosovës ndaj qytetarëve”, thuhet në deklaratën e 25 OJQ-ve.

LDK, kundër
Partia më e madhe opozitare në Kosovë nuk i ka përkrahur protestat e Vetëvendosjes. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbrojtur veprimet e policisë edhe pse vlerësoi se është e drejta e secilit që të protestojë. Mustafa theksoi se zgjidhjet duhet të kërkohen brenda Kuvendit të Kosovës, jo në rrugë. “Nuk shohim arsye që gjërat që mund të zgjidhën në mënyrë institucionale të bartën në rrugë. Ne jemi për atë që këto gjëra të zgjidhen përmes institucioneve”, tha ai, duke mos pranuar të komentojë mbi dhunën në protestën e së shtunës në dy portat doganore në Kosovë.

“Vetëvendosja nuk kërkoi leje për protestën”
Policia: Ne nuk përdorëm dhunë, por zbatuam politikat më demokratike
Policia e Kosovës ka refuzuar të gjitha deklaratat e protestuesve, se kundër tyre është përdorur dhunë, duke deklaruar se sjellja e efektivave të saj ka qenë në përputhje me politikat më demokratike. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha dje se “pjesëtarët e policisë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj askujt, veçse kanë zbatuar ligjin”. Kelani mohoi se Vetëvendosja kishte lajmëruar në polici për protestën, siç e parasheh ligji mbi rendin dhe qetësinë publike dhe se nuk ka kërkuar leje për mbajtjen e saj. “Si pasojë e mospërfilljes së urdhrave policore dhe veprimeve të dhunshme nga ana e protestuesve duke hedhur mjete të forta dhe gurë masivë në drejtim të policëve, rreth orës 14 e 26 minuta, njësitet policore kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën e dhunshme. Gjatë këtij veprimi, policia ka ndaluar disa protestues të dhunshëm brenda turmës së protestuesve”, tha ai. Kelani gjithashtu ka thënë se gjatë rezistencës aktive të protestuesve nga hedhja e gurëve dhe mjeteve të forta të metalta, janë dëmtuar edhe disa mjete zyrtare dhe pajisje të Policisë. Ai ka thënë se Policia e Kosovës, gjatë operacionit në fjalë, ka zbatuar praktikat më demokratike të intervenimit, nuk ka pasur dhunë nga policia dhe se të gjitha ndalimet janë bërë pasi protestuesit kanë bllokuar rrugët, vepër kjo e kundërligjshme.

© Panorama.al

Te lidhura