Vetëvendosja sfidon ministrin Rexhepi: Nuk do zmbrapsemi

Jan 9, 2012 | 10:53
Një nga protestat e Vetëvendosjes

Lëvizja “Vetëvendosja” ka mbajtur qëndrim të palëkundur për të bllokuar pikat kufitare me Serbinë në datë 14 janar, duke sfiduar kështu ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi. Gazeta kosovare “Koha ditore” raporton se Dardan Molliqaj, sekretar i përgjithshëm i kësaj lëvizjeje, shprehet se asnjë plan i Ministrisë së Brendshme nuk do të mund të parandalojë atë që Vetëvendosja ka planifikuar.  Më datë 14 janar pritet që aktivistë të kësaj lëvizjeje dhe vullnetarë që do t’i bashkohen asaj, të bllokojnë pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë deri në aplikimin e masave të reciprocitetit. Në deklaratat e bëra në mediat kosovare, sekretari i përgjithshëm i Vetëvendosjes ka hedhur edhe akuza ndaj qeverisë dhe më saktë ndaj ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, duke e cilësuar atë si bashkëpunëtor të kriminelëve në Veri. Sakaq, Rexhepi nuk u është përgjigjur këtyre deklaratave, duke refuzuar të prononcohet. Sipas “Koha ditore”, sekretari i Vetëvendosjes, Molliqaj, lidhur me organizimin e kësaj nisme është shprehur se pritet pjesëmarrje edhe e qytetarëve nga Shqipëria. “Kanë filluar organizimet edhe prej Shqipërisë për të ardhur më 14 janar në Kosovë. Shumë qytetarë atje kanë shprehur dëshirën për të qenë në Kosovë atë ditë. Ne do ta kemi një vizitë gjatë javës në Shqipëri dhe atëherë do të mund të marrim vesh se sa veta do të vijnë”, shprehet ai. Aktivistët e “Vetëvendosjes” thirrjen për pjesëmarrje edhe nga Shqipëria e kanë bërë edhe përmes rrjeteve sociale, siç është Facebook. “Autobusët nga Tirana nisen në datën 14 janar, në ora 7:00 të mëngjesit, në sheshin ‘Skënderbej’, para Pallatit të Kulturës, ka qenë statusi i vendosur të shtunën, i  udhëheqësit të Sekretariatit për Komunikim me Media të lëvizjes “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi. Ndërsa lëvizja kosovare ka marrë nismën e bllokimit të pikave nga ana e Ministrisë së Brendshme, është hartuar edhe një plan operativ i policisë për të penguar bllokimin e pikave. Nëse deri në fund të kësaj jave nuk do të gjendet zgjidhje, ajo që pritet të përkufizojë Kosovën do të jetë tensioni.

Rexhepi: Tolerancë zero
Dy ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, paralajmëroi lëvizjen “Vetëvendosja” se nga ana e shtetit do të ketë zero tolerancë në rast të bllokimit të pikave kufitare. “Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos përkrahin forma joligjore të shfaqjes së pakënaqësisë. Policia e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me forcën e ligjit – forcë kjo që buron nga Kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura