Vetëvendosja: një profil

Jan 30, 2012 | 9:56

ILIR KALEMAJ

Protestat e fundit në Merdare dhe Dheu i Bardhë për të vendosur një bllokadë ndaj mallrave serbe ishin vetëm mjeti i fundit në një sërë aksionesh të ngjashme të partisë Vetëvendosja dhe liderit të saj karizmatik, Albin Kurti. Kjo parti që lindi si një lëvizje sociale, por që nuk pati fatin e simotrave të saj gjëkundi (fjala bie lëvizja “Mjaft” e kthyer në një parti politike të pasuksesshme G99), u shndërrua brenda një kohe shumë të shkurtër në partinë e tretë më të madhe në Kosovë dhe së fundmi, në zërin kryesor opozitar në vend. Një platformë e lëvizshme opozitare, siç e ka përkufizuar së fundmi vetë Kurti, duke iu referuar filozofisë së vetë kësaj force që shkon aty ku  nevoja apo zëri për të protestuar i qytetarëve është. Pra, nëse një grup qytetarësh bllokohen në pikë kufitare, dikujt i kërkohet ryshfet në një zyrë administrate, apo për të sensibilizuar masat me “bli shqip” etj., Vetëvendosja është aty për të bërë të ndihet prania e saj, për të dhënë mbështetje morale dhe për të rritur peshën specifike të saj si një forcë e zëshme politike. Kjo, së bashku me daljen në skenë të një sërë figurash të tjera, të reja dhe dinamike (përveç vetë Kurtit), ka bërë që brenda një kohe të shkurtër kjo forcë të pozicionohet qartë në skakierën politike të vendit dhe të ketë gjithë të drejtat për të kërkuar të jetë forcë e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. Pavarësisht gjithë këtyre faktorëve, Vetëvendosja ka disa probleme të cilat shkurtimisht po i ravijëzojmë si më poshtë.
Së pari, kjo forcë politike ende nuk e ka bërë kthimin dhe shndërrimin e saj identitar nga një lëvizje populiste, e aftë të mobilizonte në kohë reale mbi njëzet-tridhjetë mijë pjesëmarrës në shesh, në një forcë të mirëfilltë politike, me një axhendë të vërtetë qeverisëse dhe me plan konkret për zhvillimin e vendit. Është një anë e medaljes të kritikosh çfarë nuk shkon mirë në politikën institucionale të shtetit të ri të Kosovës, gabime, gafa, politika të gabuara të qeverisjes aktuale, nivele korrupsioni galoponte, kapje të shtetit nga interesa okulte, privatizim dhe shitje të aseteve shtetërore për të mbuluar vrimat e zeza të buxhetit, ndërvarje thuajse fatale ndaj investimeve të huaja të cilat natyrisht nuk vijnë aty në rolin e filantropëve, apo politikë e jashtme e pazëshme. Të gjitha këto arsye të mira për të protestuar, por po aq edhe për të justifikuar ngritjen e një aksioni politik konkret, me propozime reale dhe politika alternative bindëse në rast së Vetëvendosja kthehet në forcë të parë me Albinin kryeministër. Cila do jetë marrëdhënia e tyre me ndërkombëtarët? Me fqinjët, përfshirë Serbinë? Në lidhje me investimet e huaja, asetet ndërkohë të privatizuara (pra a do respektojnë kontratat ekzistuese apo jo?), me luftën ndaj varfërisë, me planin për shpëtimin e fondeve të pensionit e kështu me radhë. Këto nuk janë pyetje abstrakte, por konkrete për të korrektuar sa më shpejt deficitin buxhetor, atë të tregtisë me jashtë, nivelin e borxhit dhe parandaluar rritjen e inflacionit.
Këto na çojnë te problemi numër dy, që është kundërthënia ideologjike që kjo forcë politike ngërthen në sendërtimin e saj. Duhet risjellë në vëmendjen e lexuesit boshti nacional-majtist që kjo parti ka si gur themeli të saj. Nëse deklaratat e saj patriotike janë tashmë të mirënjohura për publikun e gjerë, thirrjet për bashkim të Shqipërisë me Kosovën, krijimi i një zone ekonomike të përbashkët etj., është më pak i njohur pozicioni i saj ideologjik që është shprehimisht majtas. Vetëvendosja është krijuar si një parti që këmbëngul në rritjen e politikave proteksioniste për të mbrojtur sektorët vulnerabël në Kosovë (si industrinë minerare, bujqësinë etj), që këmbëngul për një ngrirje të çdo lloj privatizimi dhe rishikim të atyre ekzistues, për një ndërhyrje më të madhe të shtetit në ekonomi, për një rishpërndaje më të drejtë të të ardhurave në shoqëri etj. Por pas bashkimit me FER-in të Shpend Ahmetit dhe Ilir Dedës, një partie libertariane që nuk shkoi përtej 2-përqindëshit në zgjedhjet e fundit, duke pasur si zgjedhje të vetme shkrirjen e saj me partinë e z. Kurti, disa pikëpyetje dalin në këtë drejtim. Si mund të bashkëjetojnë dy kurse ideologjike të kithëta brenda së njëjtës parti? A do vazhdojë të jetë kjo një parti socialiste (apo social-demokrate) apo me frymë liberale dhe përkrahëse e politikave të tregut? A do jetë për taksimin e sheshtë që synon rritjen e sipërmarrjes private apo progresive që synon rishpërndarjen e pasurisë në shoqëri? Cilat do jenë politikat e saj publike dhe roli i ndërhyrjes së shtet/pushtetit në ekonomi? Cili do jetë raporti me investitorët dhe sipërmarrësit? A do zgjedhin bashkëpunimin me institucione me fryme neoliberale si FMN dhe BB, apo do i kundërshtojnë ato si forma neokolonialiste pushteti?
Së treti, Albini kryeopozitar dhe kryeministër jo domosdoshmërisht do jenë e njëjta gjë. Në fakt, me shumë mundësi do jetë e kundërta, siç ka demonstruar historia në thuajse çdo rast të ngjashëm. Mjaft të kujtojnë këtu liderë anarkistë, radikalë apo populistë të kthyer në politikanë mainstream, si Joshka Fisher në Gjermani, David Trimble, Ian Paisley dhe Gerry Adams në Irlandën e Veriut, Yehud Barak në Izrael, Napoletano në Itali, Presidenti Lula në Brazil apo qoftë edhe Malkolm X në SHBA. Natyrisht, kostumi i kryeqeverisësit të bën të modifikosh, modelosh apo ndryshosh kryekëput qëndrimet apolitike apo qëndrimet margjinale, duke qenë i detyruar të ndërmarrësh politika që kërkojnë bashkëpunim me aktorët dhe faktorët e ndryshëm politikë brenda dhe jashtë vendit. A do e cenonte ky bashkëpunim aurën e Albinit të sotëm, a do zhgënjente pasuesit e sotëm apo do vazhdonte të luante kaubojin e vetmuar dhe djaloshin plëngprishës të politikës kosovare? Në fakt, sjellja e tij mund mos të ishte asnjë nga të tria, mund të ngrihej në nivelin e një burri shteti, që aq shumë mungon këtejpari, një politikani të përgjegjshëm, patriot dhe të ndershëm, të hapur për bashkëpunim, të moderuar në qëndrimet ndaj faktorit ndërkombëtar, bashkëpunues me forcat e tjera politike, gjithëpërfshirës në lidhje me minoritetet dhe t‘i arrinte të gjitha këto duke imponuar staturën e tij dhe kredon personale apo të forcës politike që ai drejton.  Politikanët misionarë për fat të keq koha i ka tejkaluar, ndaj që Albini do kishte pak mundësi të sillej si një Havel apo Rugovë e dytë, kështu që modeli i tij do ishte më tepër i një politikani aktiv, të aftë të prodhonte politika publike dinamike, reformatore dhe nxitëse të zhvillimit. Të përcjellësh besim te elektorati, të arrish të mobilizosh njerëzit dhe të inspirosh shpresë, është një hap jo i vogël për të qenë një politikan i suksesshëm afatgjatë. Por të arrish të kthehesh t‘u mbijetosh kurtheve të pushtetit, të ruash staturën prej burrështetasi dhe besimin e qytetarëve, është një sfidë jo e lehtë. Shembuj si Fisher, Bler, Lula, Klinton apo Obama janë shembuj që dëshmojnë sukses në këtë drejtim dhe që vlejnë të ndiqen nga aspirues të ngjashëm, si puna e Kurtit.

© Panorama.al

Te lidhura