FIER – Një e moshuar hidhet nga kati i tretë i Spitalit të Fierit. Policia bën me dije se gruaja ishte e shtruar prej tre ditësh në spital, për arsye se vuante nga stomaku. Nuk dihen shumë të dhëna për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja, por rreth orës 05:00, polici roje i spitalit ka dëgjuar zhurmën dhe ka shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes. Ai ka lajmëruar për këtë mjekët, të cilët konstatuan se viktima ishte pacientja Valentina K., 68 vjeç, e shtruar në Spitalin Rajonal të Fierit në Repartin e Patologjisë. Nga goditja me tokën, ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Mjekët e kanë shoqëruar trupin pranë morgut të spitalit, ndërsa kanë lajmëruar edhe familjarët e saj. Hetimet e para kanë zbuluar se 68-vjeçarja vuante prej 7 vitesh nga depresioni i rëndë, çka i sillte herë pas here probleme dhe paqëndrueshmëri mendore. Viktima ishte nga qyteti i Fierit dhe nënë e tre fëmijëve të rritur. m.r











