Vetëflijohen në harkun e pak orëve dy persona në Fier dhe në Vlorë. Policia bëri të ditur se një 33-vjeçar i dha fund jetës me lëndë helmuese, ndërsa viktima tjetër u vetëhodh nga ballkoni i pallatit ku banonte. Për të dy këto ngjarje ka nisur hetimi dhe janë marrë edhe deklarimet e familjarëve.Policia e Fierit bëri të ditur dje se viktima është 33-vjeçari Gramos Gega, banues në këtë qytet. Familjarët e tij e kanë konstatuar ngjarjen e ndodhur gjatë natës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ata e kanë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit, por me gjithë ndihmën e menjëhershme të bluzave të bardha, babai i dy fëmijëve nuk ka mundur të mbijetojë. Mjekët që asistuan me lavazhe dhe ndërhyrje të tjera që kryhen në rastet e vetëhelmimeve, bënë të ditur se kishte qenë i pamundur shpëtimi i tij, për shkak se kishte konsumuar një dozë të lartë lënde helmuese. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, rezultoi se i ndjeri kishte pirë dy kokrra fostoksinë, të cilat kanë vepruar më pas në organizimin e tij, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, ndërsa dyshohet që ai ta ketë kryer aktin e vetëflijimit në kushtet e një depresioni. Nga të dhënat e grupit hetimor, rezultoi se 33-vjeçari ishte në gjendje pune në sektorin e ndërtimit dhe nuk kishte probleme të theksuara ekonomike, që mund të ndikonin deri në konsumimin e lëndës helmuese. Policia bëri të ditur se është duke e hetuar ngjarjen, por ende nuk ka një pistë, veç depresionit të mundshëm të tij. Në fakt, familjarët e Gegës i pohuan grupit hetimor se ai sillej normalisht me ta dhe se nuk kishin vënë re luhatje të gjendjes emocionale gjatë kohëve të fundit. Një tjetër ngjarje, me pasojë vdekjen e një 59-vjeçari, u regjistrua po dje në qytetin e Vlorës. Banorët e kanë gjetur atë të pajetë në oborrin e pallatit ku banonte. “Në orët e para të mëngjesit, banorët e një pallati në lagjen “10 Korriku”, kanë gjetur të vdekur poshtë pallatit shtetasin me inicialet S.I., 59 vjeç, i cili ishte banor në katin e dytë të këtij pallati”, bëri të ditur dje policia e Vlorës. Menjëherë sapo kanë konstatuar trupin e 59-vjeçarit, banorët e dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal, por mjekët konstatuan se viktima nuk kishte shenja jete. Nga ekspertiza e kryer prej ekspertëve të mjekësisë ligjore rezultoi se i ndjeri para mbërritjes në spital kishte të paktën tri orë që kishte vdekur. Policia e Vlorës mbërriti në vend pas sinjalizimit dhe nisi hetimet. Paraprakisht, nga dëshmitë e dhëna nga banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja, por edhe të afërmit e viktimës, rezultoi se 59-vjeçari kurohej prej disa vitesh nga depresioni. Policia tha se dyshohet se viktima është vetëhedhur nga dritarja e katit të dytë ku dhe banonte e, për pasojë, është dëmtuar në kokë, dëmtim i cili i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e djeshme shkaktoi panik tek banorët, të cilët janë përballur me skenën tragjike ku 59-vjeçari ndodhej pa jetë në mes të një pellgu me gjak. m.r/q.b
Policia nis hetimet per dy ngjarjet
Policia e Fierit dhe e Vlorës bënë të ditur dje se për ngjarjet e shënuara janë duke hetuar, por paraprakisht dyshohet se shkak të jetë depresioni. 33-vjeçari, baba i dy fëmijëve, mbërriti i gjallë në spital, por për shkak të dozës së lartë të lëndës helmuese, bluzat e bardha nuk e bënë dot të mundur shpëtimin e tij. Ndërsa viktima në Vlorë, mbërriti i vdekur në spital. Mjekët ligjorë konstatuan se ai, para mbërritjes në spital, kishte të paktën tri orë që kishte vdekur.











