
Kostandin Xhuvani, djali i aktores dhe deputetes së njohur Luiza Xhuvani, u vetëdorëzua dje në polici, më tepër se tre muaj pasi u shpall në kërkim për vrasje.Djali i çiftit Xhuvani u paraqit dje në Policinë e Tiranës me vullnetin e tij, për shkak se kërkohej nga policia që prej datës 12 shkurt 2011, me akuzën se është i dyshuari kryesor për vrasjen e Alfred Musabellit, në Qytetin Studenti në Tiranë. Ndaj Xhuvanit gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndërsa ai dje ka vendosur të përballet me këtë vendim. Rreth orës 11:30, Kostandin Xhuvani, i shoqëruar nga avokati i tij, është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës me iniciativën e tij. Policia ka bërë ekzekutimin e urdhër-arrestit dhe menjëherë ka nisur procedura e zakonshme. Burime nga Policia thanë se Xhuvani është njohur me akuzën “vrasje me dashje”. Njoftimi i akuzës është bërë nga prokuroria, ndërkohë që oficerët e Policisë Gjyqësore kanë sekuestruar edhe armën e krimit të ndodhur në shkurt të këtij viti, të cilën Xhuvani e ka dorëzuar dje në polici. Ai ka pranuar se ka kryer krimin dhe, sipas policisë, ka shprehur pendesë të thellë. Negociatat 3-mujore që oficerët e grupit hetimor kanë kryer me prindërit e Xhuvanit, deputeten socialiste Luiza Xhuvani dhe regjisorin Gjergj Xhuvani, duket se e kanë bindur 22-vjeçarin se rruga më e mirë dhe që do ta favorizonte më shumë gjatë gjykimit, ishte vetëdorëzimi. Burime nga Policia thanë se gjatë gjithë kohës që Kostandin Xhuvani ishte në kërkim, oficerët kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjarët e tij, duke negociuar që ai të vetëdorëzohej. Vendimi për t’u dorëzuar në polici është marrë edhe pas konsultimit me avokatin, i cili do të mbrojë interesat e tij gjatë gjykimit.
DESHMIA
Kostandin Xhuvani, paraditen e djeshme u paraqit me vullnetin e tij në Policinë e kryeqytetit, duke dorëzuar edhe armën e vrasjes dhe më pas pranoi se kishte vrarë shokun e tij në shkurt të këtij viti. Faktin që ka pritur kaq gjatë për t’u dorëzuar, 22-vjeçari e ka argumentuar me frikën që kishte nga qelia dhe përballjen me policinë. Ai është shprehur i penduar për gjithçka që ka ndodhur, madje duke përsëritur me dhjetëra herë që nuk donte ta vriste shokun. “Jam penduar për atë që ndodhi. Nuk doja kurrsesi që të ndodhte, por kur i pashë në dorë pistoletën që ia kishte drejtuar shokut tim, e kam shkrepur armën unë i pari dhe menjëherë më pas u pendova për atë që bërë. Kisha frikë të dorëzohesha në polici. Kisha makthe gjatë natës, nuk mund të flija për atë çfarë kishte ndodhur”, mësohet se ka deklaruar para oficerëve të policisë Kostandin Xhuvani. I pyetur se ku ka qëndruar gjatë kohës që ishte person në kërkim, 22-vjeçari ka treguar se përveç ditës që ka ndodhur ngjarja, që ka qëndruar në lëvizje, më pas, gjatë gjithë kohës, ka qëndruar në shtëpinë e tij, pranë Qytetit Studenti. Burimet sqaruan se deklarimet e tij u morën si të mirëqena, edhe pse vendndodhjen ai mund ta përdorë si një alibi për të “shpëtuar” personat që e kanë strehuar.
NEGOCIATAT
Policia e kryeqytetit, pasi dështoi gjatë kontrollit të banesave të miqve dhe të afërmve të Kostandin Xhuvanit, me idenë se ai mund të strehohej të ndonjë prej tyre, vendosi të negocionte me prindërit e tij për vetëdorëzimin. Një javë pas ngjarjes, policia pranoi se po pret vetëdorëzimin e 22-vjeçarit edhe për faktin se prindërit e tij, Luiza dhe Gjergj Xhuvani, po përpiqeshin ta bindnin atë nëpërmjet shokëve të tij. Gjatë negociatave, çifti Xhuvani është njohur nga policia edhe me rrethanat lehtësuese që do të përfitonte djali i tyre në rast se dorëzohej me iniciativë, gjë që do ta ndihmonte edhe gjatë gjykimit. Prindërit e të riut i kanë bërë thirrje disa herë publikisht atij që të vetëdorëzohej dhe të qartësonte pozicionin e tij në ngjarje.
Dëshmia e “bashkëpunëtorit”: Ja si ndodhi vrasja
TIRANE – Mëngjesin e datës 12 shkurt të këtij viti, Policia e Tiranës u njoftua se në një banesë private pranë Qytetit Studenti kishte ndodhur një vrasje. Alfred Musabelli, 26 vjeç, ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri dhe si autor kryesor të dyshuar të kësaj ngjarjeje për pak minuta policia identifikoi Kostandin Xhuvanin, djalin e çiftit Gjergj dhe Luiza Xhuvani. Ndërsa arrestoi dy miqtë e tij, Albi Zela dhe Ermal Gjici, si bashkëpunëtorë në krim. Shkaku dhe rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja u shpjeguan tri ditë pas vrasjes në gjykatë nga njëri prej të arrestuarve, Albi Zela, i cili nuk pranoi në asnjë moment se ishte bashkëpunëtor në krim. Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Kostandin Xhuvanin, me akuzën “vrasje me dashje” ndaj Alfred Musabellit. Togat e zeza të gjykatës vendosën lënien në burg pa afat edhe për të dyshuarin tjetër për këtë ngjarje, Albi Zela. Para gjykatës, Zela e përjashtoi veten e tij nga autorësia e vrasjes, duke pohuar se ishte Xhuvani ai që kishte qëlluar me armë. Për të ndaluarin tjetër, Ermal Gjici, gjykata vendosi lirimin e tij nga qelia. I akuzuar nga prokuroria për “përkrahje të autorit të krimit” ndaj Gjicit u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Burime brenda seancës treguan se Albi Zela ka pohuar se kishte shkuar vetë në komisariat dhe kishte rrëfyer ngjarjen. “Kur erdhi Kostandini unë isha në banjë dhe po laja dhëmbët. Nuk e di se si u gjend aty Alfred Musabelli, që më drejtoi pistoletën në kokë. Pastaj u konfliktuam në oborrin e avllisë. Në sherr e sipër, Konstandini qëlloi me pistoletë. Pashë edhe një nga ata personat që e shtyu Kostandinin dhe e rrëzoi në tokë”, është shprehur Zela para gjykatës. Po sipas tij, për shkak se ishte i tronditur dhe nuk kishte njeri në shtëpi, ai kishte shkuar te banesa e dajës së tij. Ndërsa shoku tjetër i Kostandin Xhuvanit, që tashmë ndodhet në arrest shtëpie, ka treguar se ditën e ngjarjes Kostandini i kishte telefonuar duke i kërkuar makinën, pasi do të shkonte në Elbasan. Nga deklarimet e dhëna në polici nga dy të arrestuarit rezulton se mëngjesin e datës 12 shkurt 2011, viktima, Alfred Musabelli, së bashku me dy shokët e tij, A. Grori dhe P. Prenga, ka shkuar në banesën e Albi Zelës për t’u sqaruar lidhur me një konflikt që kishin pasur më parë me njëri-tjetrin. Dy shokët e viktimës kanë qëndruar jashtë, ndërsa ai është takuar brenda banesën me Zelën dhe Xhuvanin. Fillimisht viktima është konfliktuar me Albi Zelën. Aty ka ndërhyrë Kostandin Xhuvani, i cili ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe ka qëlluar me të Alfred Musabellin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia heton vendstrehimin e Xhuvanit
TIRANE – “Kam qëndruar ku kam mundur”. Këto mësohet se kanë qenë fjalët e thëna nga Kostandin Xhuvani në lidhje me afatin prej tre muajsh gjatë të cilëve ai qëndroi në kërkim nga policia. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, gjatë dëshmisë së vet dje në polici, Kostandin Xhuvani ka refuzuar të flasë me detaje në lidhje me “vendstrehimin” e tij gjatë gjithë kësaj kohe. Mësohet se ai ka dëshmuar se nuk i është fshehur aktivisht policisë dhe, për më tepër, gjatë gjithë këtyre muajve ka përjetuar pendim të thellë për krimin e kryer. Policia e kryeqytetit, nga ana e saj, ka nisur hetimet në lidhje me strehimin e të riut. Nëse provohet se ai ka qëndruar te njerëz të rrethit familjar, ata shpëtojnë nga akuza e përkrahjes së autorit të krimit, por nëse i riu ka qëndruar i strehuar te njerëz që nuk kanë lidhje gjaku me të, ata rrezikojnë të akuzohen për këtë. Ligji parashikon përjashtimin nga përgjegjësia penale të rrethit familjar të personave të kërkuar, ndërkohë që fshehja apo përkrahja e autorit të krimit konsiderohet si krim dhe është e dënueshme.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











