Vetëdorëzimi lehtëson Xhuvanin

May 25, 2011 | 9:58
Alfred Musabelli, viktima e vrasjes

Vetëdorëzimi në Policinë e Tiranës do ta lehtësojë pozitën penale të Kostandin Xhuvanit, edhe pse për tre muaj ai “iu fsheh” policisë pas vrasjes së ndodhur më 12 shkurt 2011 në Qytetin Studenti.Krahas lehtësirave që organi i akuzës parashikon për të akuzuarin për vrasje pas vetëdorëzimit, një tjetër rrethanë që shkon në këtë drejtim, sipas organit të akuzës, duket se është fakti se bashkë me avokatin e tij, Kostandin Xhuvani paraqiti në polici edhe armën e përdorur në vrasjen e shtetasit Alfred Musabelli. Menjëherë pas vetëdorëzimit në Policinë e Tiranës, Kostandin Xhuvani është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, pasi më parë ai ka qenë në mungesë dhe versioni i tij për ngjarjen nuk ishte dëgjuar nga hetuesit. Pas dhënies së deklarimeve, procesverbali me thëniet e Xhuvanit ka mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës ka marrë gjithashtu edhe armën e dorëzuar nga i riu, me qëllim kryerjen e ekspertimeve të nevojshme për hetimin e çështjes. Hetimi i vrasjes së Alfred Musabellit, megjithatë, duket se do të ketë surpriza të reja për shkak të disa provave që prokuroria thotë se janë gjetur në vendin e ngjarjes. Është fjala për një predhë të dytë nga ajo që ka vrarë Alfred Musabellin, për një armë e cila ka rezultuar se nuk kryente qitje dhe më e rëndësishmja, për një gjurmë të dytë gjaku. Kjo gjurmë gjaku, sipas prokurorisë, është krahasuar me viktimën Alfred Musabelli dhe personat e tjerë të pranishëm, por nuk është përputhur me ta, duke lënë si mundësi të vetme që ajo të jetë e Kostandin Xhuvanit, me të cilin ka qenë e pamundur të krahasohej deri tani për shkak se ai ka qenë në mungesë. Në këtë mënyrë, pas vetëdorëzimit në polici, Xhuvanit i janë marrë mostra gjaku për krahasim. Me këtë provë pretendohet të provohet fakti se në vendin e vrasje së Alfred Musabellit ka pasur një përleshje dhe Kostandin Xhuvani ka qëlluar me armë në kushtet e vetëmbrojtjes, cilësim që do ta lehtësonte ndjeshëm pozitën penale të tij. Kështu, në vendin e ngjarjes provohet se veç Kostandin Xhuvanit, i akuzuar si autor i vrasjes dhe viktimës Alfred Musabelli, kanë qenë të pranishëm edhe dy persona të tjerë, Ermal Gjici dhe Albi Zela. Ky i fundit ka thënë gjatë deklarimeve në gjykatë se Alfred Musabelli i kishte drejtuar armën (pistoletë) në kokë, por në këtë kohë ka ndërhyrë Xhuvani. Ai e ka qëlluar Musabellin me pistoletë, me pretendimin se ka ndërhyrë për mbrojtjen e mikut të vet. Dëshmitarët kanë pretenduar se arma e Musabellit nuk ka qenë e vërtetë, por një pistoletë lodër, ndërkohë që Kostandin Xhuvani ka këmbëngulur pas vetëdorëzimit se nuk ka qenë në dijeni të faktit se arma ishte lodër dhe ka menduar se Albi Zelës i kanosej rreziku serioz për vrasje nga Musabelli.

Xhuvani në Gjykatë për masën e sigurisë

TIRANE – Pas tre muajve e gjysmë në kërkim nga policia, Kostandin Xhuvani do të dalë sot para Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë. Ndaj tij në mungesë është vendosur “arrest me burg pa afat”, pas ngritjes së akuzës për vrasje dhe shpalljes në kërkim. Sot, sipas procedurave ligjore, Kostandin Xhuvani duhet të dalë para gjykatës për konfirmimin e gjeneraliteteve të tij dhe njoftimin e masës së sigurisë. Burime nga prokuroria thanë se sot pritet të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës seanca e njoftimit të masës së sigurisë ndaj të pandehurit, ndërkohë që ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti në mungesë. Në këtë seancë nuk parashikohet të bëhet shqyrtim provash apo faktesh në lidhje me ngjarjen, por vetëm verifikimi i identitetit të të arrestuarit dhe më pas njoftimi i masës së sigurisë.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura