Vërshim kanabisi, bllokohet 1 ton

Dec 27, 2011 | 12:08

Droga e bllokuar dje në aksin Gjirokastër-Sarandë

Trafik me kamionçina, një kapet në Portin e Durrësit, një në Sarandë.

Trafik droge me kamionçinë drejt shteteve fqinje, bllokohet 1 ton kanabis. Vërshimit të lëndës narkotike jashtë kufijve u është bërë bllokadë dje, një prej të cilave në portin e Durrësit dhe tjera në rrugën drejt Sarandës. Një 24-vjeçar u arrestua në flagrancë, ndërsa po tentonte të trafikonte 750 kg kanabis sativa drejt Italisë. Sipas informacioneve zyrtare të policisë droga ishte e fshehur në një mjet kamionçinë me targa AA 078 Ç, i cili po tentonte të kalonte traun doganor, në drejtim të portit të Barit në Itali. Menjëherë është vënë në pranga drejtuesi i mjetit, 24-vjeçari Rejdi Furxhi, banor i qytetit të Durrësit. Efektivët e antidrogës, gjatë kontrollit në kamionçinën që do të nisej në Itali me tragetin e linjës Durrës-Bari gjetën sasinë prej më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar për kanabis sativa. Sipas policisë kufitare, droga u gjet e ndarë në disa çanta, fshehur në makinë, ndërkohë që gjithçka është bërë e mundshme gjatë kontrolleve në port, por edhe sinjaleve të marra në rrugë operative. Mësohet se malli i sekuestruar ishte blerë në jug të vendit dhe kishte si destinacion tregun e jashtëm, pikërisht atë të Italisë. Aktualisht operacioni i policisë ka sjellë arrestimin vetëm të drejtuesit të mjetit, por dyshohet se ka të tjerë persona të përfshirë në trafikun e drogës. I riu po merret në pyetje për të mësuar jo vetëm emrat e të implikuarve të tjerë, por dhe burimin dhe destinacionin e lëndës narkotike. Vetëm pak orë më parë, në aksin nacional Gjirokastër-Sarandë, policia e rrethit jugor bllokoi një tjetër kamionçinë, në të cilën ndodhej një sasi prej 284 kg drogë. Policia e Sarandës kishte marrë informacion për lëvizjen e kësaj ngarkese, ndaj organizoi operacionin e koduar “Duralumini”. Agjentët e antidrogës ngritën një postbllok në vendin e quajtur “Ura e Kranesë” dhe, pasi pikasën mjetin e dyshuar, i kanë bërë shenjë për të ndaluar, duke ushtruar kontroll. Në mjet u zbulua një dopio shtresë e modifikuar në mjet, brenda së cilës, drejtuesi i mjetit, 22-vjeçari nga Vlora, Ermal Ramaj, kishte vendosur qindra pako, 1 dhe 2-kilogramëshe, sasia e të cilave, pas peshimit, rezultoi në total 283 kg e 700 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis. Policia shoqëroi menjëherë në Komisariatin e Sarandës 22-vjeçarin, banor i lagjes “28 Nëntori” në qytetin e Vlorës. Verifikimet e kryera nga policia nxorën përfundimin se sasia e hashashit vinte nga Lazarati dhe do të trafikohej më pas në Greqi. Agjentët e antidrogës po zhvillojnë hetime për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të 22-vjeçarit vlonjat në transportimin e kësaj ngarkese të madhe me drogë.
Dyshohet se personat që kanë ngarkuar lëndën janë të rinj nga Lazarati, por për efekt hetimi policia nuk dha detaje të tjera.

KORÇE
Pas sinjalizimeve në rrugë operative, zbulohen dy të rinj që shpërndanin lëndë narkotike prej disa muajsh nëpër gjimnaze, si dhe tek frekuentuesit e pub-eve të qytetit të Korçës. Blutë sekuestruan një sasi prej rreth 10.6 kg kanabis, duke arrestuar 26-vjeçarin Ervis Ligori dhe shpallur në kërkim Stavri Pojanin. Sipas Policisë, droga që vinte nga Lazarati shpërndahej nga dy personat, kryesisht në gjimnazet dhe pub-et e qytetit. dh.d

DURRES/SARANDE

© Panorama.al

Te lidhura