PRISHTINE- Vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në Nju Jork, për të marrë pjesë në Asamblene e Përgjithshme të OKB-së, përveç përpjekjeve lobuese, mund të realizojë edhe një marrëveshje të rëndësishme për veriun e Kosovës. Të paktën kështu besojnë përfaqësues të misioneve ndërkombëtare të akredituar në Kosovë, burimet e të cilave i citon gazeta “Zëri”.
Burime brenda këtyre misioneve deklarojnë se vizita e Thaçit në Nju-Jork, mund të rezultojë me një marrëveshje për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri. Kjo marrëveshje, sipas tyre, do të mund të realizohet pas një takimi që do të zhvillohet me presidentin e Serbisë, Bioris Tadic dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian dhe atyre të SHBA-së.
“Barrikadat do të largohen, mirëpo duhet të ketë siguri fillimisht. Për të pasur një ambient të qetë për largimin e barrikadave pa pasoja duhet të ketë një marrëveshje mes palëve dhe kjo marrëveshje ka gjasë që të arrihet në New-York”, ka qartësuar burimi ndërkombëtar, cituar sot nga Express.
Sipas të njëjtit burim, arritja e një marrëveshjeje të mundshme ka qenë arsyeja kryesore që kryeministri Thaçi ka shkuar në SHBA, pikërisht në kohën kur veriu i Kosovës është bllokuar nga ekstremistët serbë në përpjekje për të parandaluar ligjshmërinë në këtë rajon.
© Panorama.al











