Venecia e ODIHR: Votat gabim të numërohen

Dec 7, 2011 | 13:04

Kreu i ODIHR, Xhonatan Stonstrit

Venecia e ODIHR: Vendimet e Kolegjit të apelohen.

Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i propozojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe qartësimin e procedurave për vlerësimin e votave të hedhura gabim. Pas letrës që i dërgoi sekretari i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, Komisionit të Venecias për të dhënë një mendim që situatat problematike të mos përsëriten në të ardhmen, janë hartuar edhe amendimet konkrete. Tre anëtarë nga Holanda, Estonia dhe Polonia dhe një ekspert nga OSBE/ODIHR-i kanë përgatitur një material prej 21 faqesh.
Votat gabim
Sa u takon votave të hedhura gabim, Venecia dhe misioni i OSBE/ODIHR-it vlerësojnë se “Kodi dështon të adresojë problemin e numërimit të votave të hedhura gabim nga votuesit. As instruksionet e lëshuara nga KQZ-ja nuk kanë qenë të efektshme. Kjo çështje ka çuar në një mosmarrëveshje të madhe gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Bashkinë e Tiranës, ku numërimi i votave të hedhura gabim ndryshoi rezultatin e ngushtë për zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë. Kjo çoi në një polarizim akoma më të madh në KQZ dhe një proces të gjatë apelimi”. Ata propozojnë një procedurë se si këto vota të përfshihen në tabelën përfundimtare. “Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë adresimin e problemit të votave të hedhura në kutitë e gabuara në Kodin Elektoral. Gjithashtu duhet të vendoset një procedurë e qartë për miratimin dhe përfshirjen e votave të hedhura gabim në tabelën e rezultateve. Për shembull, këto vota duhet të vendosen në një kolonë të veçantë në tabelën e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive të votimit në një qendër votimi”, thuhet në rekomandimet e Venecias. Komisioni dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë vlerësimin e të gjitha votave të kontestuara dhe ndryshimin e Kodit, me qëllim për të garantuar se vetëm ato vota, të cilat objektivisht nuk janë të qarta të konsiderohen të pavlefshme. “Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë që Kodi të ndryshohet në mënyrë që vendimet e KQZ-së mbi tabelën e shpalljes së rezultateve mund të apelohen përpara një organi juridik në të njëjtën mënyrë si të gjitha vendimet e tjera të KQZ-së”, theksohet në propozimet e Venecias dhe OSBE/ODIHR-it.
Kolegji Zgjedhor
Një tjetër çështje e trajtuar në propozimet e bëra nga institucioni këshillimor pranë Këshillit të Europës është edhe veprimtaria e Kolegjit Zgjedhor. Venecia evidenton një mospërputhje mes neneve të Kodit Zgjedhor, sipas të cilave, vendimet e Kolegjit nuk apelohen dhe një dispozite të Kushtetutës, sipas së cilës vendimet e gjykatave apelohen në një shkallë më lart. “Neni 158.5 citon se ‘vendimi i Kolegjit Zgjedhor është përfundimtar. Asnjë apel nuk mund të bëhet kundër tij’. Kjo masë mund të ngrejë çështje kushtetuese. Neni 43 i Kushtetutës citon se ‘çdokush ka të drejtën të apelojë një vendim juridik në një gjykatë më të lartë, me përjashtim kur Kushtetuta siguron një mënyrë tjetër’. Komisioni i Venecias rekomandon rishikimin e nenit 158.5″, thuhet në propozimet e Komisionit. Venecia dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë gjithashtu ngritjen e një administrate zgjedhore të paanshme. “Sfida kryesore është, gjithsesi, nëse do të jetë e mundur të largohemi nga përbërja aktuale partiake e administratës zgjedhore të bazuar në një balancë ndërmjet të dyja partive politike kryesore, në një administratë zgjedhore që përfshin elementë jopartiakë dhe të paanshëm. Ky ndryshim është i domosdoshëm nëse dëshirohet të ulen konfliktet dhe polarizimi brenda administratës zgjedhore. Megjithatë, në rrethanat aktuale do të jetë ekstremisht e vështirë në Shqipëri të identifikohet një person ose një organ që mund të caktojë anëtarë kaq jopartiakë në administratën zgjedhore”, thuhet në rekomandimet e propozuara.

Propozimet e Venecias dhe të OSBE/ODIHR
.Kodi dështon të adresojë problemin e numërimit të votave të hedhura gabim nga votuesit. As instruksionet e lëshuara nga KQZ-ja nuk kanë qenë të efektshme. Kjo çështje ka çuar në një mosmarrëveshje të madhe gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Bashkinë e Tiranës, ku numërimi i votave të hedhura gabim ndryshoi rezultatin e ngushtë për zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë. Kjo çoi në një polarizim akoma më të madh në KQZ dhe një proces të gjatë apelimi.

.Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë adresimin në Kodin Elektoral të problemit të votave të hedhura në kutitë e gabuara. Gjithashtu duhet të vendoset një procedurë e qartë për miratimin dhe përfshirjen e votave të hedhura gabim në tabelën e rezultateve. Për shembull, këto vota duhet të vendosen në një kolonë të veçantë në tabelën e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive të votimit në një qendër votimi.

.Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë vlerësimin e të gjitha votave të kontestuara dhe ndryshimin e Kodit me qëllim për të garantuar se vetëm ato vota që objektivisht nuk janë të qarta, të konsiderohen të pavlefshme. Teksti aktual i Kodit, neni 119.2 dhe 119.3, si dhe neni 118.2, paragrafi i fundit, duhet të ndryshohen në përputhje me këtë.

Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë që Kodi të ndryshohet në mënyrë që vendimet e KQZ-së mbi tabelën e shpalljes së rezultateve mund të apelohen përpara një organi juridik në të njëjtën mënyrë si të gjitha vendimet e tjera të KQZ-së.

.Neni 158.5 citon se “vendimi i Kolegjit Zgjedhor është përfundimtar. Asnjë apel nuk mund të bëhet kundër tij”. Kjo masë mund të ngrejë çështje kushtetuese. Neni 43 i Kushtetutës citon se “çdokush ka të drejtën të apelojë një vendim juridik në një gjykatë më të lartë, me përjashtim kur Kushtetuta siguron një mënyrë tjetër”. Komisioni i Venecias rekomandon rishikimin e nenit 158.5.

.Sfida kryesore është, gjithsesi, nëse do të jetë e mundur të largohemi nga përbërja aktuale partiake e administratës zgjedhore të bazuar në një balancë ndërmjet të dyja partive politike kryesore, në një administratë zgjedhore që përfshin elementë jopartiakë dhe të paanshëm. Ky ndryshim është i domosdoshëm nëse dëshirohet të ulen konfliktet dhe polarizimi brenda administratës zgjedhore. Megjithatë, në rrethanat aktuale do të jetë ekstremisht e vështirë në Shqipëri të identifikohet një person ose një organ, i cili mund të caktojë anëtarë kaq jopartiakë në administratën zgjedhore.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura