
Ish-Presidenti Bamir Topi do të jetë nga nesër zyrtarisht anëtar i Frymës së Re Demokratike. Komisioni nismëtar i kësaj force politike, i mbledhur ditën e djeshme, përcaktoi edhe modalitetet e ceremonisë që do të mbahet në selinë e FRD-së, pak metra larg asaj të Partisë Demokratike. Kështu, gjatë ditës së sotme do të bëhet edhe një deklaratë për mediat, ku do të vendoset edhe se çfarë roli do të ketë Topi në ditën e parë në këtë parti. Dy janë alternativat për ish-kreun e shtetit: ose anëtar i komisionit nismëtar, ose kryetar i këtij komisioni. Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme, është parashikuar që ceremonia të zhvillohet në orën 11:00. Fillimisht Topi do të takohet në FRD me anëtarë të kësaj partie, të cilët do të jenë të pranishëm aty, më pas do të mbahet një takim me dyer të mbyllura me komisionin nismëtar. Rreth orës 11:20, ai do të dalë së bashku me themeluesit e kësaj partie në një konferencë për shtyp, ku pasi të mbahet edhe deklarata e parë, do t’u përgjigjet edhe pyetjeve të gazetarëve. Takimi i parë zyrtar i Topit me themeluesit e FRD-së erdhi më 3 gusht, dhjetë ditë pasi ai la zyrën e kreut të shtetit. “E njohëm Presidentin me projektin tonë politik, që synon të sjellë një politikë ndryshe, në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për integrimin europian të bëhet realitet. Eksperienca e Presidentit Topi, si një nga politikanët më të spikatur të Shqipërisë, do të jetë një aset i shtuar dhe i mirëpritur nga FRD”, u shpreh Gazmend Oketa, ish-ministri i Mbrojtjes i PD-së, pas atij takimi. Nga ana e tij, Topi tha: “Unë jam i bindur tashmë që takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD-së, një forcë e re politike, e cila në projektin politik e ka bërë tashmë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e zotit Oketa. Kur është pyetur për aleancat e mundshme, ka thënë që aleanca jonë është aleancë për qytetarin”. FRD-ja është ende në një proces organizimi dhe gjashtë tre muajve të ardhshëm është parashikuar një fushatë intensive dialogu në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në muajin tetor është parashikuar të mbahet edhe kuvendi i parë i kësaj force politike.
Deklarata
Në daljen e tij të fundit publike, ish-presidenti Topi akuzoi ashpër Kryeministrin Berisha se rikthen sistemin totalitar në vend. “Është e qartë se ka një tendencë që po implementohet çdo ditë, ka simptoma të qarta të një politike totalitariste, që Shqipëria e ka flakur tej që në vitin 1992. Tendenca për të kapur të gjitha pushtetet, dhe brenda 2-3 javësh ju e keni parë vetë që ka ndryshime të rëndësishme në institucione kushtetuese, të gjitha janë kandidatura politike që vijnë nga maxhoranca”.











