Vendimi, rriten dietat për zyrtarët

Jan 7, 2012 | 12:19

Krerët e shtetit do të qëndrojnë në hotele me pesë yje.

Qeveria rrit dietat e zyrtarëve të lartë për udhëtimet jashtë vendit. Në një vendim të miratuar në Këshillin e Ministrave më 14 dhjetor dhe që është botuar dje në Fletoren Zyrtare, janë përcaktuar pagesat e reja ditore për funksionet nga Presidenti i vendit deri te punonjësit mbështetës. Konkretisht, për kreun e shtetit dieta është shtuar me 20 euro. Nga 100 që ka qenë me vendimin e vitit 2003, në 120 euro. Gjithashtu, me 20 euro është rritur dieta ditore edhe për Kryeministrin dhe kryetaren e Parlamentit. Më pas, të gjitha kategoritë e tjera, nga deputetët, ministrat, zv.ministrat, sekretarët e Përgjithshëm dhe drejtorët, do të kenë një rritje me 10 euro. Për herë të parë është shtuar edhe një kategori tjetër, punonjësit mbështetës, ku bëjnë pjesë teknikët, sekretarët dhe shoferët, të cilët do ta kenë dietën ditore 35 euro.
Hotelet
Vendimi i qeverisë përcakton gjithashtu edhe cilësinë e hoteleve ku duhet të akomodohen zyrtarët e lartë, të ndarë sipas kategorive. Kështu, President, Kryeministri, kryetari i Parlamentit, zv.kryeministri, nënkryetarët e Kuvendit dhe ministrat mund të flenë në hotele me pesë yje. Deputetët, zv.ministrat, sekretarët e Përgjithshëm dhe drejtorët në ministri mund të flenë në hotele deri me katër yje, ndërsa përgjegjësit e sektorëve dhe punonjësit mbështetës mund të flenë në hotel deri me tre yje. “Në raste të veçanta, kur organizohen veprimtari ndërkombëtare, ku rezervimi bëhet nga organizatorët ose organizimi i veprimtarisë nuk lejon ndarjen e grupit në hotele të ndryshme, shpenzimet e fjetjes njihen sipas faturës përkatëse. Në rastet kur distanca nga hoteli në destinacionin ku kryhet veprimtaria, duke respektuar kategoritë e mësipërme, është e konsiderueshme, drejtuesi i institucionit miraton, në urdhrin e shërbimit, lëvizjen në kategoritë e mësipërme të hotelit (jo më shumë se një kategori)”, thuhet në vendimin e qeverisë. Akti përcakton se buxheti i institucionit përballon edhe siguracionin shëndetësor, vizën, taksën dhe qira zyre. “Telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal nuk mbulohen nga shpenzimet e institucionit, por nga vetë punonjësi”, theksohet në vendim.

20 euro
Sipas vendimit të qeverisë, të miratuar më 14 dhjetor, Presidenti, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit do të kenë një rritje të dietës me 20 euro më shumë, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera do të kenë rritje me 10 euro.

Ndryshimi i dietave për zyrtarët
Funksioni                Ishte             Bëhet

Presidenti                100 euro            120 euro

Kryeministri dhe
kryetari i Kuvendit            80 euro            100 euro

Zëvendëskryeministri
dhe nënkryetar i
Kuvendit, ministrat
dhe funksionarë të
tjerë me pagë më
të lartë apo që
barazohen me ta në pagë            70 euro            80 euro

Deputetët e Kuvendit
dhe funksionarë të
tjerë që barazohen
me ta në pagë                60 euro            70 euro

Zëvendësministrat,
sekretarët e
Përgjithshëm në
ministri dhe
institucione të
tjera qendrore dhe
funksionarë të tjerë
që barazohen me
ta në pagë                50 euro            60 euro

Ambasadorët, konsulli
i përgjithshëm,
të ngarkuarit me punë
në shtete të huaja,
drejtorët e Përgjithshëm
dhe drejtorët në
ministri dhe institucione
të tjera qendrore
dhe të gjitha funksionet
e tjera që barazohen
me ta në pagë                 40 euro            50 euro

Diplomatë të tjerë
në shtete të huaja,
përgjegjës sektori dhe
specialistë të ministrive,
punonjësit e institucioneve
në varësi të ministrive
dhe institucioneve
të tjera buxhetore            35 euro            40 euro

Punonjës mbështetës
(teknikë, sekretarë,
shoferë etj.)                –            35 euro

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura