Meta: Rama më krahasonte me Toni Blerin
Kreu i LSI: Kur ishte ministër, më adhuronte
“Prifti, nëse ka video të tjera, t’i nxjerrë, Presidenti sa më konsensual që është e mundur”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, bën publike letrat që i ka dërguar kreu aktual i PS-së, Edi Rama, në kohën kur mbante postin e Kryeministrit. Në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të gazetarit Ilir Babaramo në News 24, Meta tha se njëherë Rama e ka krahasuar atë me ish-kryeministrin laburist, Toni Bler.
Kur mësuat për ekzistencën e videos?
Ekzistencën e videos e mësova përpara se të propozoheshin ndryshimet në qeveri. Nuk e mora asnjëherë seriozisht. Kam qenë i sigurt se gjithmonë kam qenë tepër i përmbajtur, veçanërisht me personin në fjalë, që ishte i papërmbajtur dhe fillimisht të përmbaja atë, dhe jo të mos përmbaja veten time. Nuk mund ta mendoja kurrë që kjo gjë do të instrumentalizohej në këto përmasa, ku merita nuk ishte e tij. Ai ishte i përdorur. Përgjegjësia është e kryetarit të PS-së, i cili edhe pas vendimit të gjykatës, vazhdon të mbajë qëndrime të papërgjegjshme, sepse ai është mësuar që kur gjykata jep një vendim që nuk është në interes të qeverisë apo të maxhorancës, thotë që gjykata është në rregull; kur gjykata jep një vendim tjetër, thotë që gjykata është e korruptuar.
Zoti Prifti ka deklaruar se ka edhe 60 video të tjera. Keni dijeni se çfarë janë?
Do të ishte një kënaqësi e madhe nëse do të paraqiteshin. Mund të ketë edhe 100 të tjera më shumë dhe nuk e mban mend. Askush nuk e ka penguar jo atë, por asnjë tjetër t’i paraqesë këto. Përkundrazi, të gjithë kanë qenë të ftuar që ta bëjnë këtë gjë. T’i paraqesin edhe publikisht, por pa montazhe dhe të çojnë origjinalin. Në çdo video origjinale pozita e përgjuesit është shumë e rëndë.
Kryeministri Berisha paralajmëroi shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, i cili reagoi duke thënë se ka zgjedhur momentin për të tërhequr vëmendjen nga çështja më e bujshme, ajo juaja…

Ai ia futi kot, se para një dite më mori në telefon dhe më ftoi për drekë. Unë qesha se më mori në telefon një orë pasi e kisha parë në televizor dhe po qeshja me lot kur pashë politikanët që kanë shumë mandate; ishte Hashim Thaçi, isha unë që nga 1992-shi, ishte zoti Berisha. I thashë faleminderit shumë, për mua ishte vlerësim, se unë isha mes Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Ditën tjetër foli për diçka që nuk kishte kuptim, pavarësisht se nuk mendoj se këto kishin ndonjë lidhje. Nuk mendoj aspak se ka pasur ndonjë përpjekje për të bërë ndonjë ndikim te gjykata. Ndikimet kanë qenë të palës tjetër, me shpifje, me denigrime të padëgjuara, të papara për gjyqtarët, për t’i kompleksuar këta. Sikur njëri kishte ardhur te shtëpia ime, njëri andej, tjetri këtej, tjetri kish marrë makinën, gjëra të neveritshme, monstruoze.
Para pak ditësh u festua 20-vjetori i FRESSH-it. Ju keni qenë themelues i tij dhe si i tillë u bëtë edhe Kryeministër. Rama tha se dy janë figurat më emblematike të FRESSH: ju dhe zoti Majko. Tha që Majko po pret vendimin për të hyrë në një post shumë të rëndësishëm në OKB, ndërsa ju përballeni me drejtësinë për një çështje korrupsioni. Çfarë shije ju la kjo?
Rezultati ishte 5-0. Me këtë drejtim kjo më la shijen që ky mbeti përjetësisht një çilimi i papjekur dhe fatkeqësi që drejton atë parti. Ai është njeri që nuk e ka idenë se çfarë është FRESSH. FRESSH ka qenë vetë PS-ja. Kanë qenë ata intelektualë si Kastriot Islami, që në qoftë se janë përjashtuar ose mënjanuar nga kjo forcë politike, tregoi edhe njëherë që ka një inferioritet ndaj meje, dhe kjo është çështje e tij për arsye se FRESSH nuk ka pasur asnjëherë atë autoritet që ka pasur në atë periudhë. Ishte një diversion fare ordiner. Kjo punë është si ai libri “Kurban”, që unë nuk e kam lexuar…
Sa doja t’ju pyesja…
Është një çështje morale, sesa politike. Kam një siklet, se më kanë kërkuar shumë kolegë letrat që ky më shkruante me një adhurim të paparë kur unë isha Kryeministër dhe ai ministër. Unë e kam pas të sikletshme këtë gjë.
Çfarë kanë ato letra?
Monika i sistemon letrat e mia. Kemi që nga letrat e Fatosit kur ishte në burg. I kemi ato.
Janë të famshme sepse u thoshte të dyja palëve gjëra të ndryshme…
Jo vetëm kaq, por kur ishte kjo e FRESSH-it, Monika më tha t’i çojmë ca, se ata nuk kanë gjë te arkivi i FRESSH-it, i gjithë arkivi është te ne. Ata të rinjtë e FRESSH-it mund të vijnë ndonjë ditë dhe t’ua japim se ata nuk kanë në arkiv asgjë për aktivitetet e asaj pune të jashtëzakonshme që është bërë në atë kohë. “Kurbanin” nuk e kam lexuar, por pashë emisionin kur ishte zoti Havari, ku ky (Rama) donte t’i atribuonte vetes prishjen e parkut “Rinia”. Ndjeva një keqardhje. Si mundet një njeri të falsifikojë histori, ngjarjet, personazhet, kur ata jetojnë akoma, siç tha vetë zoti Havari, një nga realizuesit kryesorë të atij projekti që në fakt është projekti më i rëndësishëm gjatë periudhës 11-vjeçare që Rama drejtoi Bashkinë? E vetmja meritë e tij ishte që mbolli barin. Ishte pika e fundit e vendimit të qeverisë dhe lekët e barit ia dha qeveria. Para 20 vjetësh, kur ne krijonim FRESSH-in, në selinë e PS nuk hynte njeri poshtë moshës 60 vjeç dhe të gjithë shkonin në PD si parti ku mund të bënin karrierë. Ne s’kishim lidhje me rininë komuniste dhe i dhamë një frymëmarrje kësaj partie. Ky person, në atë kohë, siç e ka thënë edhe te “Refleksione”, bënte thirrje për daljen jashtë ligjit të PS-së, bënte thirrje për ekzekutimin e komunistëve, siç e thoshte ai në stadiume, si në kohën e Pinoçetit në Kili, pavarësisht se ai vetë kishte një lidhje me nomenklaturën e kaluar. Në atë kohë krijoi edhe partinë KIS dhe që nuk pranonte njerëz të tjerë po të mos ishin të dënuar në burgjet e diktaturës.
Cila ishte letra më mbresëlënëse që ju godet më shumë kur e kujtoni?
Me çfarë dëgjoj sot që thotë ai për mua, atëherë më krahasonte me Blerin. Unë nuk kam marrë përsipër asnjëherë të krahasohem me Blerin dhe me këta. Kur të vish ndonjë ditë në shtëpi, t’i tregon Monika. Ju e mbani mend. Unë e merrja në telefon, ai ishte në Rogner dhe ai çohej në këmbë. Pse duhej të çohej në këmbë ai?
Në komentin e librit thoshte që ka një shans të dytë bashkëpunimi me ju…
Shanset e bashkëpunimit përgjithësisht i jep ai që është më i fortë, në këtë rast ai është shumë më i dobët sesa ka qenë. Ka një hendek shumë të madh morali mes Ilir Metës dhe zotërisë në fjalë, i cili një ditë para dha pretencën për partinë, “ndjesë pastë”. Nuk flitet në vitin 2012 për këtë gjë me gjuhë urrejtje. Ilir Meta ka bërë një krim? Ilir Meta të përgjigjet, por jo partia dhe të rinjtë. Ç’lidhje ka kjo? Kjo është një nxitje dhune, urrejtje, konflikti dhe shoqëria jonë nuk i pranon këto gjëra.
Berisha ka thënë që President do të jetë një drejtues i PD. Jeni dakord ju?
Unë jam dakord me opsionin që Presidenti të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe të jetë sa më konsensual që është e mundur, bazuar me këtë princip të paevitueshëm. Për emrin është ende herët. Çdo forcë e koalicionit ka shumë individë të spikatur. Ne kemi një marrëveshje me PD. Nuk duam të jemi pjesë e spekulimeve që bëhen, sepse është shumë herët. Besoj se do të jemi pjesë e një zgjidhjeje konstruktive dhe parimore.
Do ta propozoni Nanon në emër të LSI-së?
Nano është një politikan që ka vlerat dhe kontributet e tij, është një figurë historike në radhë të parë e PS-së. Ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tij, por ajo që mund të them është se kjo është një çështje që do të diskutohet nga LSI në kohën e duhur. Presidenti do të zgjidhet me garë. Cilido që do të marrë 20 firma deputetësh, do të jetë pjesë e garës. Ai që do të zgjidhet, cilido që të zgjidhet, ditën tjetër do të jetë konsensual për të gjithë.
© Panorama.al“Do të kandidoj sërish në krye të LSI-së”
Meta: Kur krijova FRESSH, Rama kërkonte ekzekutimin e komunistëve
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e quajti dje fitore spektakolare vendimin 5-0 të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar pretendimet e Prokurorisë. Duke folur në Konventën Studentore Zgjedhore të LRI-së, ai akuzoi Edi Ramën si orkestrues të të gjitha sulmeve. “Ajo është fitorja juaj sepse nipi i Byrosë Politike që orkestroi sulmin ndaj Ilir Metës, nuk donte të vriste politikisht, madje edhe fizikisht Ilir Metën, por donte të shmangte shpresën tuaj për një Shqipëri europiane. Drejtësia nuk e ka thënë akoma fjalën e saj, ndaj unë sot përsëri, siç kërkova drejtësi, vendosa dhe një standard të ri për atë montazh të shëmtuar dhe kriminal që e porositi nipi i Byrosë Politike me bandën e tij”, tha Meta. Lideri i LSI-së foli gjithashtu edhe për krijimin e FRESSH-it 20 vjet më parë, ku u shpreh se “pak ditë më parë, nipi i Byrosë Politike, duke festuar 20-vjetorin e FRESSH-it, të organizatës që krijohej, themelohej dhe drejtohej nga Ilir Meta dhe që arriti kulmin e suksesit të saj në vend dhe jashtë tij, u përpoq të hidhte baltë mbi Ilir Metën. Kjo për shkak të mospërmbajtjes së tij, ndaj urrejtjes që ka për FRESSH-in dhe historisë së tij dhe njëkohësisht ndaj historisë së vërtetë të Partisë Socialiste. Kur Ilir Meta dhe shokët e tij krijonin FRESSH-in në fund të vitit 1991 dhe në fillim të vitit 1992, atëherë kur në PS nuk hynte njeri më pak se sa 60 vjeç dhe kur ky person kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Socialiste dhe ekzekutimin e komunistëve nëpër stadiume, ashtu siç kishte bërë dikur Pinoçeti në Kili”. Meta konfirmoi edhe njëherë se do të kandidojë për kryetarin e LSI-së teksa ftoi të rinjtë që të merrnin pjesë në zgjedhjet e forumeve që do të zhvillohen.











