Vendimi i Disiplinës/ Ja pse ndaj kurbinasve është vepruar me dy standarde. FSHF “shmang” përjashtimin e Laçit

Dec 8, 2011 | 14:46
Dhuna në ndeshjen Laçi-Kastrioti

Gjashtë pikë më pak në klasifikim, gjoba të DILEMA “DEDE” majme dhe një sezon të tërë në “mërgim”. Ky ishte dënimi që Komisioni i Disiplinës, në bazë të Kodit të Drejtësisë Sportive, dha ndaj KF Laçit e zyrtarëve të këtij klubi për dhunën e shkaktuar në fund të ndeshjes me Kastriotin, ditën e diel, kryesisht ndaj arbitrit të FIFA-s, Lorenc Jemini. Komisioni, i mbledhur ditën e djeshme, pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin, përfshirë këtu relacionin e arbitrave, por edhe pamjet filmike, vendosi se sipas tij vendimi më i drejtë do të ishte: 6 pikë minus nga renditja aktuale dhe detyrimin që KF Laçi jo vetëm t’i luajë të gjitha ndeshjet e këtij sezoni në fushë asnjanëse, por edhe pa praninë e tifozëve të vet. Sakaq, nuk u shpëtuan ndëshkimeve edhe zyrtarët e klubit, ata që realisht shkaktuar sherrnajën në fund të ndeshjes. Kështu, dënime 2- vjeçare janë dhënë nga Disiplina ndaj presidentit Pashk Laska dhe trajnerit të portierëve të kësaj skuadre, Kastriot Rama. Një ditë më parë, po për të njëjtat shkaqe, policia e Kurbinit arrestoi zëvendëstrajnerin Ardian Laska dhe vëllain e presidentit, Dodë Laska. Gjithashtu, Pashk Laska, Ardian Laska dhe Kastriot Rama janë dënuar edhe me nga një gjobë prej 5 milionë lekësh (secili). Një dënim të tillë me gjobë, por edhe me 1 vit pezullim, ka marrë edhe lojtari i KF Laçit, Florian Laska, edhe ky i gjetur nga Disiplina si shkaktar i dhunës. Vlen të theksohet se edhe pse kurbinasit kanë marrë një “shuplakë” të rëndë nga ana e Disiplinës, ndaj tyre nuk është vepruar drejt, ose të paktën ashtu si ndaj skuadrave të tjera që kanë shkaktuar të njëjtat probleme. Kështu, Laçi nuk u përjashtua sikundër u veprua me ekipe, si Burreli, Tërbuni, Memaliaj, Tepelena etj., edhe pse dinamika e ngjarjeve ka qenë e njëjtë. Ndaj duhet theksuar se në rastin e Laçit, federata (Disiplina) ka vepruar me dy standarde, aq sa dënimi i marrë duket si një “e goditur me pambuk”. Kjo pasi, me një Dinamo thuajse në Kategori të Parë dhe me një Apoloni më të dobët nuk ka ku të shkojë, Laçi ka shansin të shkojë në “playoff” dhe të qëndrojë sërish në Superiore. Pa llogaritur këtu që vendimi i djeshëm mund të apelohet dhe aty kurbinasit të përfitojnë shumë.

DILEMA “DEDE”
Një dilemë e madhe për momentin te Laçi, është edhe qëndrimi apo jo i trajnerit Nevil Dede. Ky i fundit nuk ka marrë ende një vendim lidhur me të ardhmen e tij. Tekniku duhet të bëjë llogari me gjendjen e re që është krijuar pas vendimit të Disiplinës, ku përveç faktit se skuadra ka 6 pikë më pak, duhet të mendojë edhe se do t’i luajë të gjitha ndeshjet e këtij sezoni në transfertë dhe për më keq, pa mbështetjen e tifozëve laçianë.

© Panorama.al

Te lidhura