Gjykata e Lartë filloi dje procesin gjyqësor në ngarkim të ish-zv. kryeministrit Ilir Meta, të akuzuar nga Prokuroria e Përgji-thshme për “korrupsion aktiv”.Në të njëjtën seancë gjykata vendosi kryerjen e një ekspertimi të ri të video-përgjimit të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e tij, ku shfaqet ai dhe ish-zv. kryeministri Meta. Pesë anëtarët e Kolegji Penal të Gjykatës së Lartë u njohën dje me parashtrimet hyrëse të palëve në proces dhe pranuan kërkesat e palëve në lidhje me provat. Për mënyrën e radhës së paraqitjes së provave në proces, Kolegji Penal pranoi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës për të filluar me thirrjen e dëshmitarëve. Prokurori kërkoi që thirrja të bëhet në bazën e radhitjes se emrave të dëshmitarëve në kërkesën për gjykim. Bëhet e ditur se i pari emër në listë është ai i ish-ministrit Dritan Prifti. Seanca e radhës u caktua më 22 korrik 2011.
SEANCA
Në një seancë, që nisi 4 orë më vonë nga orari i paracaktuar, Gjykata e Lartë çeli dje shqyrtimin gjyqësor të dosjes me të pandehur ish-zv. kryeministrin Ilir Meta. Në nisje të seancës, Kolegji Penal shpalli vendimin e ndërmjetëm në lidhje me kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës të Metës. Përfaqësuesi i Prokurorisë lexoi më pas para gjykatës kërkesën për gjykim. Duke marrë shkas nga fakti që Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për papërdorshmëri të akt-ekspertimit të videos, prokurori shprehu nevojën e një ekspertimit të ri. “Ne do të bëjmë kryerjen e një ekspertimit të ri, nëse pranohemi nga gjykata”, u shpreh prokurori. Nga ana e tyre, përfaqësuesit ligjorë të ish-zv. kryeministrit Meta, avokatët Gëzim Veleshnja dhe Petrit Serani, pretenduan pafajësi të klientit të tyre. “Gjatës shfaqjes së videos së sekuestruar si provë nga ana e organit të Prokurorisë, nuk dëgjohet asnjë fjalë nga ato me të cilat Prokuroria mbështet akuzën”, u shpreh avokati Veleshnja në parashtrimet hyrëse të mbrojtjes. Në vijim avokati i kërkoi trupit gjykues administrimin si provë në dosje të dy ekspertimeve të kryera nga mbrojtja në Itali në lidhje me materialin filmik të realizuar nga Dritan Prifti. “Kërkojmë të administrohen si provë dy ekspertimet e kryera nga eksperti italian, ing. Frederiko Antonio”, u shprehën avokatët. Njëkohësisht, mbrojtësit kërkuar që eksperti Antonio të thirret si dëshmitar në proces. Po sipas avokatëve, Kolegji Penal duhet të administrojë një shkresë të Ministrisë së Drejtësisë, sipas së cilës, organi i akuzës nuk ka bërë kërkesë për veprime proceduriale jashtë shtetit. Në vijim të parashtrimeve të mbrojtjes, avokati Veleshnja kërkoi një ritranskiptim të videos “Meta-Prifti”. “Të bëhet një transkiptim i videos nga ekspertë të fushës”, kërkoi avokati. I pyetur nga Kolegji në lidhje me pretendimin e Prokurorisë për riekspertim të videos, avokati u përgjigj pozitivisht. “Jemi dakord që të kryhet një riekspertim i videos. Riekspertimi të bëhet nga ekspertë shqiptarë. Praktika ka treguar se ka praktika gjyqësore dhe hetimore, që ekspertët janë gjetur në Shqipëri”, u shpreh avokati.
GJYKATA
Pas 30 minutash të tërhequr në dhomën e këshillimit, pasi u njoh me parashtrimet hyrëse, Kolegji Penal vendosi të pranojë kërkesën për kryerjen e ekspertimit të videos. “Gjykata pranon kërkesën për kryerjen e ekspertimit të videos, por ekspertët do të caktohen nga Gjykata”, u shpreh kryesuesi, gjyqtari Ardian Dvorani. Në të njëjtin vendim të ndërmjetëm, Kolegji Penal shprehu pranimin e kërkesave për prova të bëra nga palët gjatë parashtrimeve hyrëse. Kështu, u miratua pyetja si dëshmitarë në proces, të të gjithë personave të kërkuar nga Prokuroria dhe nga pala mbrojtëse. Gjykata i pranoi Prokurorisë provat e tjera, videoregjistruesi i Priftit, si dhe i gjithë dokumentacioni përkatës i tenderave të zhvilluar në Ministrinë e Ekonomisë. Në anën tjetër, palës mbrojtëse ndër të tjera, iu pranua akt-ekspertim i bërë nga eksperti italian, si edhe procedura e kërkesës së Prokurorisë në vitin 2002 për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Dritan Prifti.
Kronologjia e seancës
. Gjykata shpall vendimin e ndërmjetëm për kërkesat paraprake:
. Rrëzohet kërkesa për pushimin e gjykimit
. Rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të veprimeve hetimorë për shkak të tejkalimit të afateve
. Pranohet kërkesa për pavlefshmëri relative dhe papërdorshmëri të akt-ekspertimeve të ekspertit amerikan dhe anglez
. Rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri të video-regjistrimit të Priftit
. Gjykata nuk shprehet për kërkesën për papërdorshmëri të provave materiale
. Rrëzohet kërkesa për papërdorshmëri të deklarimeve të Dritan Priftit
. Gjykata deklaron të hapur shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Ilir Meta.
. Prokurori paraqet kërkesën për gjykim dhe kërkesën për prova të organit të akuzës. I kërkon gjykatës lejimin e kryerjes së një akt-ekspertimit të ri për videon.
. Avokati paraqet parashtrimet hyrëse dhe kërkesën për prova. Pranon pretendimin e Prokurorisë për kryerjen e një akt-ekspertimit të ri të videos.
. Gjykata, pas tërheqjes në dhomën e këshillimit pranon kërkesën për akt-ekspertim. Ekspertët do të caktohen nga gjykata në një moment të mëvonshëm.
. Gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë për radhën e paraqitjes së provave në proces. Pranohet nisja e shqyrtimit të provave me dëshmitarë.
. Gjykata ndërpret seancën dhe cakton zhvillimin e seancës së radhës në 22 korrik 2011, ora 10:00.
Prifti në hetim për 70 mijë euro
Ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, autor i përgjimit të bërë ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, është edhe vetë person në hetim dhe i akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion. Akuza i referohet një videoje të regjistruar në banesën e vetë Dritan Priftit në mars të vitit 2010, një ditë pasi ai kishte përgjuar Ilir Metën në Ministrinë e Ekonomisë. Në këtë video, Prifti shfaqet duke marrë 70 mijë euro nga ish-vartësi i tij. Ish-ministri ka pretenduar se në këtë çështje nuk ka pasur paligjshmëri pasi bëhej fjalë për një borxh mes kolegësh, mirëpo nga hetimi ka rezultuar se videon në fjalë ish-ministri Dritan Prifti e ka pasur në kompjuterin e tij, por e ka fshirë para se t’i dorëzonte pajisjet në Prokurori. Materiali u rikuperua nga një specialist amerikan dhe iu vu në dispozicion prokurorisë.
Ekspertimet ne gjykata
Gjykata e Lartë vendosi dje të mos njohë ekspertimet e bëra nga Prokuroria mbi videopërgjimin e regjistruar nga Dritan Prifti. Gjykata vetë gjatë shqyrtimit të çështjes vendosi që të kryejë ekspertizën e materialit me specialistë shqiptarë. Para gjykatës, grupi i ekspertëve do të betohet dhe më pas do të kryejë ekzaminimet e materialit për të parë nëse është origjinal, apo jo. Përsëritja në gjykatë e ekspertimeve të Prokurorisë apo ribërja e tyre nga e para, është një praktikë e cila ka ndodhur në një numër të konsiderueshëm procesesh në gjykatat shqiptare.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











