Vendosja e kamerave në pjesët kryesore të Tiranës do t’i kushtojë qeverisë 6.6 milionë USD. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua një ndryshim në vendimin për fondet e Ministrisë së Brend-shme. “Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2011, në programin buxhetor ‘Policia e Shtetit’, t’i shtohet fondi prej 660 000 000 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për blerje pajisjesh, mjetesh, materialesh të tjera speciale, si dhe për sistemin e monitorimit me kamera të qytetit të Tiranës”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Në të njëjtën kohë është saktësuar se nga ky fond, 634 milionë lekë të klasifikohen, si shpenzime për investime, dhe 25 milionë të tjera për mallra e shërbime. Projekti u prezantua pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Sistemi i kamerave të vëzhgimit do të mbulojë rrugët, bulevardet, sheshet dhe hapësirat publike në Tiranë, duke u përqendruar më tepër tek institucionet shtetërore dhe ato të biznesit.











