
Policia, hetime në Babrru: Vajza gjeti vdekjen nga goditja në gjoks, qitja me armë ishte e pavullnetshme.
Tiranë, 13-vjeçari shkrepi aksidentalisht çiften “me leje” të babait.
Një vajzë vetëm 12 vjeçe është viktima e një tragjedie në një familje në periferi të Tiranës. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në shtëpinë ku banon familja e Dëfrim Gozhazit, në Babrru. Viktima është vajza e vetme e familjes, Gilberta Gozhazi, nxënëse e klasës së gjashtë. Burime nga Policia thanë se i dyshuari për ngjarjen e rëndë është vëllai i viktimës, djali i madh i familjes, 13-vjeçari Olsjan Gozhazi. Ai është marrë në pyetje paraditen e djeshme në prani të prindërve dhe të një psikologeje, për shkak të moshës së mitur, dhe mësohet se e ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, që dyshohet të jetë arma me të cilën është qëlluar për vdekje vogëlushja. Arma sipas Policisë mbahej me leje nga babai i viktimës, Dëfrim Gozhazi, pasi dilte herë pas here për gjah. Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë marrë në pyetje edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, babanë, nënën dhe gjyshërit e viktimës, që banonin në të njëjtën shtëpi me ta, të cilët po ashtu kanë konfirmuar se vrasja është kryer nga nipi. Për shkak të moshës së mitur, ndaj 13-vjeçarit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, me akuzën “vrasje nga pakujdesia”.
NGJARJA

Policia e Tiranës është lajmëruar mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00, nga fqinjët e familjes Gozhazi, të cilët njoftonin se kishin dëgjuar një të shtënë arme brenda shtëpisë së Dëfrim Gozhazit e më pas të qara me zë të lartë. Drejt vendit të ngjarjes është nisur menjëherë një patrullë policie e Komisariatit Nr.5, të cilët pasi kanë konfirmuar se në vendin ku u dha njoftimi kishte ndodh-ur një vrasje, kanë lajmëruar oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Burime nga grupi hetimor thanë dje se pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, është konstatuar se 12-vjeçarja Gilberta Gozhazi, kishte gjetur vdekjen e menjëhershme nga saçmet e çiftes, pasi goditja kishte qenë në kraharor. Vajza e mitur është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku i është bërë autopsia. Ndërsa policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje babanë dhe nënën e viktimës, Dëfrim dhe Vera Gozhazi, të cilët kanë shpjeguar edhe rrethanat se si ka ndodhur ngjarja. Sipas burimeve nga Policia, personi që ka shkrepur aksidentalisht armën e gjahut, ka qenë vëllai i viktimës, Olsjan Gozhazi, një vit më i madh se ajo, nxënës i klasës së shtatë.
TRAGJEDIA
Vajza 12-vjeçare, Gilberta Gozhazi, e cila mbeti e vdekur pas shkrepjes së armës nga vëllai i saj, ishte vajza e vetme e familjes së prekur nga ngjarja e rëndë dhe tragjike. Përveç Olsjanit, i cili dyshohet të jetë autori i ngjarjes, vajza e mitur kishte edhe një vëlla më të vogël, 3 vjeç, Ergysin. Ajo u përcoll dje për në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Babrru, të Tiranës dhe në shtëpinë e saj edhe mbrëmjen e djeshme ende vazhdonin vajtimin të afërmit e saj që ndodheshin për ngushëllim. Pas përfundimit të ceremonive familjare policia pritet që të bëjë edhe disa ekzaminime shtesë në ban-esën ku ndodhi vrasja e vajzës së mitur për të qartësuar disa momente të mekanizmit të krimit. Po kështu, pritet që të merren në pyetje edhe personat që ndodheshin në banesë në momentin kur ka ndodhur e shtëna e pavullnetshme me armën e gjahut.
Goditja
Sipas këqyrjes së policisë në vendin e ngjarjes mësohet se goditja e vajzës 12-vjeçare me armën e zjarrit që i mori jetën, ka ndodhur në kohën kur ajo ishte në dritaren e banesës. Të dhënat janë kontradiktore, nëse vajza po luante apo po pastronte diçka te xhami i dritares kur u qëllua me armë.
Arma
Grupi hetimor verifikoi dje dokumentet e armës së zjarrit që është bërë shkak për vrasjen e 12-vjeçares në Babrru. Hetuesit njoftuan se arma e gjahut mbahej me leje përkatëse, e cila ishte brenda afatit për babain e vajzës që gjeti vdekjen. Arma në fjalë është sekuestruar për kryerjen e ekspertizave dhe ekzaminimeve të nevojshme.
Fillimisht u dyshua se arma ishte shkrepur nga prindi
Vrasja e vajzës, policia shoqëroi babain
Djali 13-vjeçar mund t’i shpëtojë ndjekjes penale
TIRANE – Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se i dyshuari për vrasjen e 12-vjeçares Gilberta Gozhazi është vëllai i saj, Olsjan Gozhazi. Kjo deklaratë është artikuluar në orët e pasdites dhe mbrëmjes së djeshme, ndërsa fillimisht të dhënat kishin qenë kontradiktore. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, grupi hetimor kishte shoqëruar dhe marrë në pyetje si të dyshuar babanë e vajzës, shtetasin Dëfrim Gozhazi, i cili pak orë më vonë mësohet se u la i lirë duke u larguar për të marrë pjesë në varrimin e vajzës dhe ndaj tij nuk nisi asnjë procedim penal. Burimet shpjeguan dje rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, nisur nga deklarimet e familjarëve, por duke mos saktësuar se kush e kishte shkrepur armën. Sipas Policisë, Dëfrim Gozhazi mbrëmjen e së shtunës ka qenë duke pastruar çiften që mbante me leje në shtëpi. Vajza e tij, Gilberta, ishte ulur përballë, bashkë me të ëmën, Verën. Ndërsa në një moment, kur ai ende nuk kishte përfunduar së pastruari armën e gjahut, djali i tij i madh, Olsjani, i është afruar për ta ndihmuar dhe në këtë moment arma është shkrepur. Saçmat e çiftes kanë goditur në pjesën e kraharorit vajzën 12-vjeçare që ndodhej përballë të atit e të vëllait që pastronin armën dhe ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Momenti i shkrepjes së armës, pavarësisht se është konsideruar si qitje e pavullnetshme, duke e klasifikuar ngjarjen si vrasje aksidentale, vazhdon të jetë i dyshimte. Ende nuk është përcaktuar saktësisht se kush mund ta ketë shkrepur çiften, pavarësisht se 13-vjeçari gjatë marrjes në pyetje ka pranuar të jetë ai autori. Nga ana tjetër, policia do të ekzaminojë gjurmët e gishtave në këmbëzën e armës, për të përcaktuar nëse i përkasin djalit apo babait. Fillimisht policia tha se autor i vrasjes ishte babai i 12-vjeçares dhe vetëm pak orë më pas ndryshoi gjithçka. Në rast se autorësia e vërtetë i përket vëllait të viktimës, ai mund të shpëtojë nga përgjegjësia penale, për shkak të moshës së mitur.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











